Lajme

Sulm kibernetik ndaj Berlinit- 1.4 milionë skedarë publikohen, hakerët kërkonin 2 mln euro!

09/04/2026 22:30
nga:Y I

Qeveria e Berlinit është përballur me një sulm të madh kibernetik, pas të cilit rreth 1.44 milionë skedarë të administratës janë publikuar në rrjetin e errët.

Pas sulmit, grupi i hakerëve Rhysida i kishte kërkuar autoriteteve 30 bitcoin, rreth 2 milionë euro, në këmbim të të dhënave.

Hakerët pretendojnë se kanë marrë rreth 5.7 terabajt të dhëna nga rrjeti i administratës së Berlinit.

Në mesin e materialeve të vjedhura dyshohet se ndodhen dokumente të punonjësve, të dhëna financiare, fjalëkalime dhe materiale të tjera të brendshme të administratës.

Afati i vendosur nga hakerët për pagesën ka përfunduar dhe të dhënat janë publikuar. Autoritetet gjermane kanë nisur kontrollin e materialeve për të përcaktuar se cilat të dhëna janë prekur dhe cilët persona mund të jenë të ekspozuar.

Administrata e Berlinit kishte bërë të ditur më herët se nuk do të paguante shpërblimin e kërkuar. Autoritetet po punojnë së bashku me Policinë e Berlinit, Prokurorinë dhe Zyrën Federale për Sigurinë në Teknologjinë e Informacionit për hetimin e sulmit.

Sipas autoriteteve, aktualisht nuk ka të dhëna që tregojnë se rrjeti shtetëror vijon të jetë i komprometuar. Ndërkohë, ekspertët e forenzikës digjitale po analizojnë skedarët e publikuar dhe personat e prekur do të njoftohen sipas rastit.

/Ora News/