Lajme

Zulfaj në Dublin: S’e dëgjuam askënd në këtë sallë të kërkonze që aplikimi i Kosovës të ecë përpara

09/04/2026 14:15
nga:L J

Kryenegociatori i Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj, u shpreh i zhgënjyer që askush s’u mor me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Europian në një seancë në Dublin ku u mblodhën ministrat për Çështje Europiane për zgjerimin e BE-së me vendet kandidate dhe potencialisht kandidate.

“Kanë kaluar pothuajse katër vjet që nga dorëzimi i aplikimit tonë. Gjatë gjithë kësaj kohe, nuk kemi dëgjuar askënd në këtë sallë të kërkonte që aplikimi ynë të ecë përpara”, tha Zulfaj aty ndër të tjera.

Gjithashtu, ai u ankua se pse po ia kërkojnë atij t’i bindë të gjithë ata “se Kosova meriton të ecë përpara”.

“Zgjerimi është instrumenti më efektiv i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, sepse e transformon një vend aspirant sipas vlerave, standardeve dhe modelit të vetë Unionit. Prandaj, në thelb, avancimi drejt Bashkimit Evropian përmes një procesi të bazuar në merita është po aq në interesin e BE-së sa edhe në interesin e vendit aspirant. E megjithatë, progresi i Kosovës dhe vullneti i qytetarëve tanë për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian vazhdojnë të shpërfillen”, tha ai.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE në vitin 2022, por që nga atëherë s’ka lëvizur asnjë hap para.

Zulfaj në këtë tavolinë e përmendi edhe prezencën e ministrit të Serbisë për Integrime Evropiane, për qeverinë e të cilit tha se dje e priti “me nderime ushtarake trupin e një personi të dënuar për gjenocid, krimin më të rëndë që njeh njerëzimi dhe synon që këtë fundjavë ta varrosë atë me nderime shtetërore”.

“Kjo është e gabuar. Dhe, do të jetë njollë mbi ndërgjegjen tonë nëse nuk themi asgjë!”.