Lajme

Çmimi i naftës në ShBA arrin rekord

09/04/2026 13:38
nga:L J

Shoferët në ShBA po paguajnë më shumë se kurrë për naftën, ndërsa lufta ShBA-Izrael me Iranin po ndikon drejtpërdrejt në çmimet e karburanteve.

Sipas Shoqatës Amerikane të Automobilistëve (AAA), çmimi mesatar i një galoni naftë ka arritur në 5.85 dollarë, nga 3.71 dollarë një vit më parë.

Ky çmim ka tejkaluar edhe rekordin e shënuar pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, shkruan BBC.

Çmimet e karburanteve janë rritur ndjeshëm që nga fillimi i konfliktit me Iranin, në fund të shkurtit, në të njëjtën kohë me rritjen e çmimeve të naftës në tregun ndërkombëtar.

Situata është përkeqësuar pasi Irani, në përgjigje të luftës, ka kufizuar ndjeshëm qarkullimin në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë ujore përmes së cilës transportohet rreth një e pesta e naftës në botë.

Në disa shtete amerikane çmimet janë edhe më të larta. Në Uashington, për shembull, një galon naftë kushton mesatarisht 6.81 dollarë, krahasuar me 5.03 dollarë një vit më parë.

Edhe benzina ka arritur nivele të larta, me një çmim mesatar prej 4.15 dollarësh për galon, nga 3.20 dollarë një vit më parë.

Rritja e çmimeve të karburanteve ka shkaktuar zemërim te votuesit amerikanë, në prag të zgjedhjeve të rëndësishme afatmesme që mbahen në nëntor.