Lajmet e fundit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar sot se PDK-ja nuk do të pranojë vazhdimin e shkeljeve kushtetuese dhe se, nga sot, do të hyjë në një fazë tjetër të veprimit politik, institucional dhe juridik për rikthimin e ligjshmërisë dhe rendit kushtetues në vend.
Në sallën e Kuvendit, Hamza tha se për javë të tëra deputetët e PDK-së kanë kërkuar vazhdimin e seancës konstituive, respektimin e Kushtetutës, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullores së Kuvendit.
Nga kjo ngjarje ka raportuar gazetarja e Klan Kosovës, Qëndresa Bellagoshi.
“Jo konferencë, por kjo ishte hera e fundit që Partia Demokratike dhe Aleanca mblidhen në një seancë të improvizuar në mes të këtyre dy subjekteve politike për të kërkuar vazhdimin e seancës konstitutive, kjo për shkak që kjo është edhe data kur përfundon edhe afati i vetëshpallur i Vetëvendosjes që është data 5 shtator”, raporton Bellagoshi.
“Kjo meqë pikërisht sot bëhen 30 ditë nga dita kur ka filluar seanca konstitutive, përkatësisht në muajin e kaluar. Sipas Partisë Demokratike dhe vetë kryetarit të këtij subjekti, Bedri Hamza, i cili u deklarua në sallën e Kuvendit përmes foltores, tha se ky është një fund i këtyre veprimeve që janë të Partisë Demokratike derisa tash e tutje do të rimendohen se si do të veprohet duke mos treguar saktësisht se cilat do të jenë hapat që do të ndërmerren nga partia e dytë e dalë nga zgjedhjet e fundit”.