Lajmet e fundit

Java e tretë e Serie A sjell një të shtunë të jashtëzakonshme me dy superpërballje në mbrëmje, ndërsa dita nis me një duel ku dy skuadra kërkojnë fitoren e parë.
Në orën 18:00, në San Siro, Interi pret Napolin në një përballje mes kampionëve dhe nënkampionëve të sezonit të kaluar. Zikaltrit kanë nisur në mënyrë perfekte kampionatin, me dy fitore në dy ndeshjet e para, ndërsa Napoli vjen pas humbjes së papritur në shtëpi ndaj Comos.
Historia është në favor të Interit. Në total, dy skuadrat janë përballur 178 herë në të gjitha kompeticionet, me 79 fitore të Interit dhe 51 të Napolit, ndërsa në Serie A bilanci është 70 fitore për zikaltrit, 48 për napolitanët dhe 42 barazime.
Në këtë duel do të përplasen edhe dy trajnerët. Cristian Chivu nuk e ka mundur ende Massimiliano Allegrin, pasi në dy përballjet e mëparshme ka pësuar dy humbje.
Por, në orën 20:45 vjen një tjetër spektakël në Olimpico. Roma, që ka marrë maksimumin në dy javët e para dhe ka shënuar tetë gola pa pësuar asnjë, pret Atalantën, e cila gjithashtu e ka nisur sezonin me dy fitore.
Protagonisti absolut i këtij fillimi te Roma është Donyell Malen. Sulmuesi holandez ka shënuar pesë gola në vetëm dy ndeshje dhe është aktualisht golashënuesi më i mirë i kampionatit.
Në qendër të vëmendjes do të jetë edhe Gian Piero Gasperini, i cili do të përballet me ish-skuadrën e tij, Atalantën, këtë herë si trajner i Romës.
Dhe para këtyre dy superndeshjeve, në orën 15:00, Fiorentina pret Torinon. Të dyja skuadrat kërkojnë pikët e para të sezonit, duke e bërë edhe këtë përballje shumë të rëndësishme.
Një ditë e madhe futbolli italian: Fiorentina-Torino në 15:00, Inter-Napoli në 18:00 dhe Roma-Atalanta në 20:45. Tre ndeshje, shumë yje dhe plot arsye për të mos e humbur Serie A këtë të shtunë.
Të tri ndeshjet mund t'i ndiqni ekskluzivisht në ArtMotion.