Lajmet e fundit

Policia e Shqipërisë ka publikuar pamjet e shoqërimit në polici të këngëtarit Jozefin Marku, i dyshuar për përfshirje në sulmin fizik të 26-vjeçarit Edi Kuçi në Tiranë.
Sipas Policisë, për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe identifikimin e personave të përfshirë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë kanë zhvilluar veprime hetimore në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë.
"Si rezultat i hetimeve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 kanë ndaluar shtetasin J. M., 30 vjeç, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”.
Është ndaluar gjithashtu K. N., 31 vjeç, i dyshuar si drejtues i automjetit tip “Land Rover”. Ndaj tij rëndojnë disa akuza, mes tyre përkrahja e autorit të krimit, armëmbajtja pa leje, heqja e paligjshme e lirisë, plagosja e lehtë me dashje dhe kanosja.
Ndërkohë, dy persona të tjerë, A. H., 48 vjeç, dhe K. V., 27 vjeç, janë shpallur në kërkim.
Gjatë kontrollit të banesës së K. N., policia ka sekuestruar një sasi municioni, ndërsa është sekuestruar edhe automjeti “Land Rover”, i dyshuar se është përdorur gjatë ngjarjes.
Sipas Policisë, personat e ndaluar dyshohet se, në bashkëpunim edhe me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kanë dhunuar 26-vjeçarin E. K., me pretendimin se ai kishte fyer një prej tyre.
"Punohet për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje dhe nxjerrjen e tyre përpara përgjegjësisë penale. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme", thotë Policia Shqiptare./Klankosova.tv