SHBA për “optimizimin” e forcave të KFOR-it: Të koordinohet ngushtë me të gjitha palët, përparësi ka ruajtja e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka reaguar për herë të parë lidhur me vendimin e NATO-s për “tranzicionin gradual të pranisë” së përhershme të KFOR-it mbi urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe “integrimin gradual” të Policisë së Kosovës në ruajtjen e Manastirit të Deçanit.

Në një përgjigje për gazetën online Reporteri.net, një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së ka rikujtuar, të enjten, se NATO aktualisht është duke zbatuar një “optimizim të pozicionimit të forcave” të misionit të KFOR-it, i cili proces do të zhvillohet në mënyrë graduale dhe në koordinim të ngushtë me të gjitha palët relevante.

“NATO aktualisht është duke zbatuar optimizimin e pozicionimit të forcave të misionit të Forcës së Kosovës (KFOR). Procesi do të jetë gradual dhe do të koordinohet ngushtë me të gjitha palët relevante”, tha Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, për Reporteri.net.

Ambasada e SHBA-së ka theksuar gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe misioneve ndërkombëtare.

“Presim vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të sigurisë së Kosovës, KFOR-it, EULEX-it dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë gjatë gjithë procesit të optimizimit të pozicionimit të forcave të NATO-s”, thuhet më tej në përgjigje.

Sa i përket situatës së sigurisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përsëritur se stabiliteti rajonal në Ballkanin Perëndimor mbetet prioritet.

“Shtetet e Bashkuara i japin përparësi ruajtjes së stabilitetit rajonal në Ballkanin Perëndimor. Ne e vlerësojmë përkushtimin e KFOR-it për të mbështetur një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm, i cili garanton siguri afatgjatë për të gjitha komunitetet”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Ambasadës së SHBA-së.

Përkundër pyetjes së Reporteri.net nëse largimi gradual i pranisë së KFOR-it nga ura mbi Ibër nënkupton hapjen e saj për qarkullim të lirë dhe nëse SHBA-ja e mbështet një hap të tillë, Ambasada e SHBA-së në Kosovë në përgjigjen e saj nuk ka dhënë një qëndrim të drejtpërdrejtë për hapjen e saj.

KFOR-i më 10 gusht njoftoi për nisjen e “tranzicionit gradual” të pranisë së tij të përhershme nga ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë. NATO ka bërë të ditur gjithashtu se ndryshime të ngjashme në praninë e KFOR-it do të ndodhin edhe në zona të tjera, përfshirë Manastirin e Deçanit.

Disa ditë pas këtij njoftimi, Admirali George Wikoff, Komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli (JFCNP), shtoi se vendimet lidhur me praninë e KFOR-it te Ura e Mitrovicës bazohen në vlerësimin për situatën e sigurisë. Ai, më 26 gusht 2026, tha se prania e KFOR-it do të shtohet në disa zona, përfshirë, por pa u kufizuar në, Mitrovicën e Veriut dhe veriun e Kosovës.

Sa i përket hapjes së urës nga ky proces, Admirali Wikoff ishte i qartë: “KFOR-i nuk e ka mandatin për të përcaktuar nëse ura duhet të hapet apo jo. Kjo u takon BE-së dhe institucioneve përkatëse në Kosovë që ta përcaktojnë, pasi KFOR-i ta përfundojë praninë e tij të përhershme në urë”.

Paralajmërimet e NATO’s, janë kundërshtuar ashpër nga Lista Serbe në Kosovë dhe Beogradi zyrtar. Për to ka reaguar edhe vetë Presidenti serb Aleksandër Vuciq. /Reporteri.net

Shija e redaktorit

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Ali Ahmeti thirrje për Marshin për Liri: Më 12 shtator...

Ish lideri i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet...

FC Prishtina mbështetë “Marshin për Liri” më 12 shtator, në...

Klubi i Futbollit “Prishtina” i është bashkuar përkrahjes së “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje...

Të fundit nga rubrika