Ruben Amorimi është pranë një arritjeje të jashtëzakonshme që asnjë trajner i Milanit nuk e ka realizuar që nga viti 1958.
Amorimi mori drejtimin e Milanit në fillim të verës, pasi klubi u nda nga Massimiliano Allegri.
Gjigantët italianë dështuan të siguronin kualifikimin në Champions dhe shënuan vetëm 53 gola në Serie A – diçka që ndër vite ka qenë një prej kritikave të zakonshme ndaj skuadrave të Allegrit.
Amorimi, në punën e tij të parë që nga shkarkimi nga Manchester United në janar, është njeriu i ngarkuar për ta rikthyer Milanin në elitën e futbollit evropian. Dhe ai ka bërë një nisje të fuqishme.
Milani i ka fituar të dyja ndeshjet e para të sezonit në Serie A, duke mposhtur Torinon 2-1 në javën hapëse, përpara fitores 2-0 ndaj Venezias në “San Siro”.
Kjo do të thotë se, përpara ndeshjeve të kësaj fundjave, Amorimi mund të bëhet trajneri i parë i Milanit që fiton tri ndeshjet e para në Serie A që nga viti 1958.
Trajnerë të shumtë të nivelit të lartë, si Carlo Ancelotti, Fabio Capello dhe Arrigo Sacchi, kanë dështuar ta arrijnë këtë rekord.
Trajneri i fundit që e realizoi ishte Luigi Bonizzoni, i cili fitoi tri ndeshjet e para në krye të Milanit në fillim të sezonit 1958/59.
Milani humbi vetëm dy ndeshje gjatë gjithë atij sezoni dhe në fund fitoi Scudetton.
Dy vite më herët, Giuseppe Viani kishte fituar tri ndeshjet e para në krye të Milanit në fillim të sezonit 1956/57.
Edhe pse Milani humbi dy ndeshjet pasuese, skuadra pësoi vetëm edhe një humbje tjetër deri në muajin mars dhe në fund fitoi titullin e Serie A.
Problemi për Amorimin – i cili gjatë periudhës së tij te Manchester United e kishte arritur një rekord të ngjashëm vetëm një herë në Premierligë – është se Milani duhet të udhëtojë në Torino për t’u përballur me Juventusin të dielën.
Edhe pse Juventusi nuk është më forca që ishte një dekadë apo më shumë më parë, bardhezinjtë i kanë fituar të dyja ndeshjet e tyre në kampionat këtë sezon pa pësuar gol, nën drejtimin e Luciano Spallettit.
Juventusi, Milani, Atalanta, Lazio, Interi dhe lideri Roma kanë nga 100 për qind të pikëve pas dy ndeshjeve të para të sezonit në Serie A.
Milani shpenzoi shumë gjatë afatit kalimtar të verës, me sulmuesin Goncalo Ramos që u transferua nga Paris Saint-Germain për një shumë rekord prej 70 milionë eurosh.
Ata shpenzuan gjithashtu 45 milionë euro, plus 20 milionë euro në bonuse, për të transferuar ish-anësorin e Chelseat, Diego Moreiran, nga Strasbourg. Ndërsa Omari Hutchinson iu bashkua klubit nga Nottingham Forest fillimisht në formë huazimi për një sezon, me opsion blerjeje.
Shpenzimet u kompensuan pjesërisht nga shitjet, me Rafael Leaon që iu bashkua Galatasarayt për 45 milionë euro, por Milani duket se është në një pozitë më të fortë sesa sezonin e kaluar.
Duke folur para fitores 2-0 të Milanit ndaj Venezias, Amorimi shpjegoi se çfarë dëshiron të shohë nga skuadra e tij gjatë sezonit 2026/27.
“Duhet t’i japim skuadrës stabilitet dhe të zhvillojmë një mënyrë të lojës që i lejon të gjithë të jenë të përfshirë gjatë gjithë sezonit”, tha ai në një konferencë për shtyp.
“Ne gjithmonë duam të jemi konkurrues, si në Serie A, ashtu edhe në Evropë. Duhet të jemi në gjendje të ndryshojmë lojtarët. Na duhen cilësi të ndryshme në varësi të kundërshtarit dhe asaj që kërkon ndeshja, kështu që të gjithë duhet të jenë të gatshëm kur ndeshja ta kërkojë. Për mua, përqendrimi është themelor. Nuk mund të përqendrohemi te detajet në ndeshjet e mëdha dhe më pas të mos tregojmë të njëjtin nivel vëmendjeje ndaj kundërshtarëve që njerëzit mund t’i konsiderojnë më të lehtë. Duhet t’i qasemi çdo ndeshjeje sikur kundërshtari ynë i radhës të ishte skuadra më e mirë në botë. Nëse qëndrojmë të përqendruar, mund ta mposhtim këdo. Nëse nuk jemi të përqendruar, mund të humbim edhe ndaj një skuadre të Serie B”, e mbylli ai./GazetaExpress/