George Lucas ka prezantuar në Los Angeles projektin e tij më të ri dhe ndoshta një nga më ambiciozët e jetës së tij: “Lucas Museum of Narrative Art”, një muze gjigant kushtuar artit të rrëfimit vizual.
“Jam mësuar të bëj të pamundurën”, tha regjisori të mërkurën. “Por ky projekt pothuajse ma theu vullnetin.”
Krijuesi i “Star Wars” po përshkruante dekadat e punës që janë dashur për realizimin e muzeut, i cili iu prezantua mediave në Los Angeles tetë vjet pasi kishte nisur ndërtimi dhe pas disa përpjekjeve të dështuara për ta realizuar projektin në dy qytete të tjera.
Ndërtesa, e cila ka formën e një anijeje kozmike dhe ngrihet pranë Universitetit të Kalifornisë Jugore, ku Lucas ka studiuar, pritet të hapë dyert më 22 shtator.
Muzeu synon të jetë një homazh ndaj rrëfimit vizual në të gjitha format e tij, nga piktura, komiket dhe muralet deri te fotografia, skulptura dhe filmi.

Rezultati është një hapësirë ekspozuese prej rreth 9 mijë e 300 metrash katrorë, ku gjendet një përzierje e pazakontë veprash.
Në të mund të shihen punime nga Judy Baca, Norman Rockwell, Diego Rivera dhe Banksy, por edhe kostumi i Luanit Frikacak nga “The Wizard of Oz”, si dhe vizatime të “Asterix” dhe “Garfield”.
Ajo që i bashkon të gjitha këto vepra, megjithëse në pamje të parë duken shumë të ndryshme, është funksioni i tyre: të tregojnë një histori, shpesh vetëm përmes një imazhi.
Kështu e shpjegoi Mellody Hobson, bashkëthemeluese e muzeut dhe bashkëshortja e Lucas.
“Rrëfimi vizual është arti që na rrethon”, tha Ryan Linkof, kuratori i lartë i muzeut.
“Është arti që e përvetësojmë çdo ditë përmes historisë vizuale, shpesh pa e kuptuar fare: fotografitë e gazetave, reklamat, kopertinat e librave, librat me ilustrime, posterët, arti i rrugës dhe filmat.”
Lucas dhe Hobson e shohin këtë mënyrë rrëfimi si diçka themelore për përvojën njerëzore.
Sipas Hobson, arti narrativ “paraqet mitet që na mbajnë të lidhur dhe historitë në të cilat besojmë”, ndërsa Lucas shtoi se imazhet bëjnë që këto mite të duken reale.
Sipas tij, e gjithë kjo “krijon një grup njerëzish me një sistem të përbashkët besimi, ndërsa ky sistem i lejon ata të punojnë së bashku dhe të mos e vrasin njëri-tjetrin”.

Muzeu i Lucas është i ndarë në dy pjesë.
Njëra përmban shumicën e galerive dhe dy kinema, ndërsa pjesa tjetër strehon koleksionin e muraleve dhe një bibliotekë kërkimore.
Me dizajnin e lëmuar që të kujton një disk fluturues, është pothuajse e pamundur të mos mendosh për “Star Wars”.
Megjithatë, arkitekti i muzeut, Ma Yansong, thotë se frymëzimin kryesor e ka marrë nga kurorat e pemëve dhe retë.
Mes dy pjesëve të ndërtesës ndodhet një shesh që ofron hije dhe ka një hapje rrethore në çati, përmes së cilës vizitorët mund “të shohin qiellin dhe universin”, shpjegoi Yansong.
Vetë historia e ndërtimit të muzeut është një sagë më vete.
Lucas filloi të koleksiononte art në vitet ’70 dhe, me kalimin e viteve, koleksionin e tij e bashkoi me atë të Hobson.
Sipas drejtuesve të muzeut, rreth 20 vjet më parë Lucas filloi të punonte seriozisht për krijimin e institucionit.
Planet fillestare për ta ndërtuar muzeun në San Francisco ose Chicago dështuan.
Më në fund, projekti nisi ndërtimin në Los Angeles në vitin 2018 dhe, tetë vjet më vonë, është gati për hapje.
“Ky është vendi ku besojmë se gjithmonë kemi qenë të destinuar të jemi”, tha Hobson për Los Angelesin.
Drejtoresha ekzekutive e muzeut, Tracey Bates, u pajtua me këtë.
“Forma më e madhe dhe më popullore e artit narrativ është kinemaja. Pra, cili vend do të ishte më i përshtatshëm sesa shtëpia e rrëfimit?”, tha ajo.
Kati përdhes i muzeut ofron një udhëtim të shkurtër nëpër mijëra vjet histori të rrëfimit vizual.
Ekspozita nis me një rikrijim gjithëpërfshirës të pikturave të shpellave dhe vazhdon me piktura, mozaikë dhe skulptura, disa origjinale e disa të riprodhuara, që paraqesin histori nga qytetërimet e lashta dhe Bibla.
Kjo pjesë ofron kontekstin historik për koleksionin kryesor të muzeut, i cili përqendrohet kryesisht në shekujt XX dhe XXI.
Në galeritë kryesore vizitorët mbërrijnë me ashensorë të rrumbullakët prej xhami, të cilët vetëm sa e shtojnë ndjesinë se ndodhesh brenda universit të “Star Wars”.
Galeritë janë organizuar sipas një përzierjeje të pazakontë kategorish.
Disa dhoma fokusohen te mediumi.
Dhoma e komikeve përmban materiale nga “Krazy Kat”, “Little Orphan Annie”, “The Adventures of Tintin” dhe “Superman”.

Në dhomën kushtuar tregimeve për fëmijë gjenden vepra nga “Where the Wild Things Are” dhe ilustrime përrallash.
Ndërkohë, galeria e mangave përmban “Astro Boy” dhe një portret të Pikachu-s.
Galeritë e tjera janë të organizuara sipas temave.
Zona e quajtur “Community” përmban skena të lagjeve të realizuara nga Ernie Barnes dhe një autoportret të Frida Kahlo.
Në seksionin “Childhood” gjenden piktura “Children of Paris” e Margaret Keane dhe vizatimi “Little Girl” i Pablo Picasso-s.
Ndërsa pjesa “Civic Life” përfshin fotografi nga greva e punonjësve të pastrimit në vitin 1968 dhe një vepër nga Shepard Fairey dhe Ernesto Yerena Montejano kundër bastisjeve ndaj emigrantëve.
Disa galeri të tjera i kushtohen artistëve të veçantë si NC Wyeth, Jessie Willcox Smith dhe Maxfield Parrish.
Ka gjithashtu hapësira të ndara sipas zhanreve, përfshirë fantastikën shkencore, fantazinë dhe aventurën.
Edhe pse muzeu nuk është një muze i “Star Wars”, fansat e sagës do të kenë shumëçka për të parë.
Një ekspozitë i kushtohet mënyrave të transportit në filmat e famshëm dhe përmban modele automjetesh, punime nga faza e produksionit dhe kostume.
Në pjesë të ndryshme të muzeut ka edhe referenca të tjera surprizë ndaj filmave.
Një nga hapësirat më mbresëlënëse është dhoma e muraleve.
Aty shfaqet një video që ndjek të gjithë gjatësinë e muralit të Judith Baca për historinë e rajonit përgjatë lumit Los Angeles.
Pranë tij janë vendosur disa vepra të Banksy-t, të cilat janë hequr fizikisht nga muret ku ishin realizuar dhe janë ekspozuar në muze.
Gjendet gjithashtu një imazh gjigant i “Kikito” të artistit francez JR, një instalacion ku shfaqet një fëmijë duke parë përtej murit kufitar mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës.
Çdo vepër shoqërohet vetëm me një pllakë të vogël ku shkruhen titulli, viti, emri i artistit dhe materialet e përdorura.
Në mure nuk ka shumë shpjegime të tjera apo përshkrime të gjata.
Kjo është bërë qëllimisht.
Linkof tha se Lucas dhe kuratorët nuk dëshironin që vizita në muze të ishte një përvojë “tepër e ndërmjetësuar”, ku njerëzve u thuhet se ku duhet të shikojnë, si duhet ta shikojnë një vepër, çfarë duhet të mendojnë apo si duhet ta interpretojnë atë.
“Ne po i inkurajojmë njerëzit që të kenë përvojën e tyre individuale me veprat e artit dhe të marrin prej tyre atë që mendojnë se u flet personalisht”, tha ai.
Megjithatë, vizitorët që duan të dinë më shumë për origjinën ose kontekstin e një vepre mund ta skanojnë atë me telefon dhe të marrin një përshkrim të shkurtër për autorin dhe arsyen e krijimit të saj.
Shumë nga artistët e ekspozuar janë emra të njohur, por drejtuesit e muzeut theksojnë se disa prej tyre nuk e kanë marrë tradicionalisht të njëjtin respekt institucional si artistët e tjerë.
Panelet e “Spider-Man” nga John Romita Jr., për shembull, zakonisht nuk shfaqen në të njëjtin muze me tavanin e Kapelës Sistine, i cili këtu është rikrijuar përmes fotografive të ndriçuara nga pas.
“Norman Rockwell në kohën e tij nuk konsiderohej artist, por më shumë ilustrues reklamash”, tha Tracey Bates.

“Por nëse shikon procesin dhe thellësinë e atyre imazheve, ai është një nga rrëfimtarët tanë më të mëdhenj.”
Përmes muzeut, Lucas dhe Hobson synojnë pikërisht ta rrisin statusin e këtyre artistëve vizualë.
Sipas Bates, çifti madje e përshkruan Kapelën Sistine si “librin e parë komik të Zotit”.
“Sa prej nesh në këtë sallë kemi mësuar t’u përballemi frikërave tona përmes punës së Maurice Sendak, apo kemi mësuar mësime morale duke parë vizatimet e EH Shepard për ‘Hundred Acre Wood’?”, pyeti Bates.
“George e quan këtë ‘Arti i Popullit’ dhe ky muze është shtëpia e tij.” /GazetaExpress/