Gjenerata Z po i kthen shpinën makinave me benzinë: Një në katër i konsideron po aq të vjetruara sa telefoni fiks - Gazeta Express
string(112) "gjenerata-z-po-i-kthen-shpinen-makinave-me-benzine-nje-ne-kater-i-konsideron-po-aq-te-vjetruara-sa-telefoni-fiks"

AutoTech

Gazeta Express

04/09/2026 21:47

Gjenerata Z po i kthen shpinën makinave me benzinë: Një në katër i konsideron po aq të vjetruara sa telefoni fiks

AutoTech

Gazeta Express

04/09/2026 21:47

Gjenerata Z njihet tashmë për prirjen për t’i shpallur të vjetruara shumë gjëra që dikur ishin të zakonshme, ndërsa qëndrimi i tyre më i fundit mund të jetë një nga më debatuesit deri tani.

Një sondazh i ri ka zbuluar se një në katër të rinj mendon se të posedosh një makinë me benzinë është po aq e vjetruar sa të kesh një telefon fiks.

Sondazhi, i porositur nga kompania E.ON Next, përfshiu 1 mijë e 500 shoferë të rinj dhe analizoi qëndrimet e tyre ndaj makinave elektrike dhe atyre me benzinë.

Rezultatet treguan se më shumë se gjysma, ose 55 për qind, dëshirojnë që makina e tyre e parë të jetë elektrike.

Eksperti i automjeteve elektrike Robert Llewellyn tha se brezi i ri nuk po rritet më me bindjen se makina e parë duhet domosdoshmërisht të funksionojë me benzinë.

“Ky brez nuk po rritet me supozimin se makina e parë do të jetë me benzinë”, tha ai.

“Ata po shohin se çfarë është në dispozicion sot dhe po bëjnë një zgjedhje praktike.”

“Sot ka më shumë makina elektrike për të zgjedhur se kurrë më parë, ka mënyra më të përballueshme për t’i blerë dhe ekziston mundësia për t’i mbajtur kostot e përdorimit më të ulëta duke i karikuar në shtëpi.”

“Për shumë shoferë të rinj, kalimi në makinë elektrike nuk është një deklaratë për të ardhmen. Është thjesht alternativa që ka më shumë kuptim sot.”

Për sondazhin, E.ON Next pyeti 1 mijë e 500 britanikë të moshës 17 deri në 20 vjeç për mendimin e tyre rreth makinave elektrike dhe atyre me benzinë.

Kostoja ishte arsyeja kryesore pse të rinjtë dëshironin një makinë elektrike, e përmendur nga 20 për qind e të anketuarve.

Në vend të dytë ishte mundësia për ta karikuar makinën lehtësisht në shtëpi, me 19 për qind.

Një në pesë të rinj tha se nuk e sheh veten duke drejtuar ndonjëherë një makinë me benzinë.

Ndërkohë, pothuajse dy të tretat besojnë se makinat me benzinë dhe naftë do të zhduken gjatë jetës së tyre.

Rreth 24 për qind shkuan edhe më tej, duke deklaruar se nuk do të blinin një makinë të re me benzinë apo naftë.

Më shumë se gjysma, ose 53 për qind, besojnë se brezi i tyre do të jetë i fundit që do t’i përdorë rregullisht këto lloje makinash.

Gráinne Regan, drejtoreshë për ofertat dhe produktet në E.ON Next, tha se preferenca për makinat elektrike po bëhet gjithnjë e më e qartë te shoferët e rinj.

“Më shumë se gjysma e shoferëve të rinj duan që makina e tyre e parë të jetë elektrike dhe duket qartë se mund të kenë arsye të forta për këtë.”

“Me kursime deri në 890 paundë gjatë vitit të parë krahasuar me karburantin dhe me mundësinë për karikim gjatë natës në shtëpi për vetëm 8 paundë, makina elektrike po bëhet gjithnjë e më e qasshme për gjeneratën e ardhshme të shoferëve”, tha ajo.

Rezultatet mund të duken befasuese, sidomos pasi një sondazh tjetër i fundit zbuloi se shumë pjesëtarë të Gjeneratës Z kanë frikë nga vetë vozitja.

Ekspertët nga Tempcover pyetën të rinjtë se cilat detyra të zakonshme të lidhura me makinën u duken më të frikshme.

Ndërrimi i një gome të shpuar rezultoi frika më e madhe.

Parkimi paralel, nisja në përpjetë dhe hyrja në autostradë ishin gjithashtu ndër situatat që shkaktonin ankth te shumë shoferë të rinj.

Këto rezultate vështirë se do t’i befasojnë përdoruesit e rinj të TikTok-ut, ku shumë prej tyre postojnë rregullisht për frikërat e tyre lidhur me vozitjen.

“Kur papritur fillon paniku sepse duhet të shkosh me makinë në një vend të ri dhe nuk e di si është situata me parkimin”, shkroi përdoruesja @artemis_alexis.

Ndërkohë, @romillyjane publikoi një video nga makina e saj duke thënë:

“Njerëzit gjithmonë mendojnë se po dramatizoj, por kjo është e tmerrshme. E urrej, e urrej, e urrej.”

Edhe @loulroberts tregoi se sa shumë e frikëson ideja e autostradës.

“Asnjëherë nuk kam qenë as afër një autostrade. Edhe nëse jam në një rrethrrotullim dhe një nga daljet të çon në autostradë, më kap paniku”, tha ajo. /GazetaExpress/

Frikërat më të mëdha të Gjeneratës Z gjatë vozitjes

Ndërrimi i një gome të shpuar – 36 për qind

Ndezja e makinës me kabllo kur bateria është shkarkuar – 36 për qind

Parkimi paralel – 24 për qind

Kontrollimi i presionit të gomave në pompë dhe mbushja e tyre me ajër – 22 për qind

Nisja në përpjetë – 22 për qind

Kontrollimi i nivelit të vajit – 20 për qind

Telefonata te kompania e sigurimit apo paraqitja e një kërkese për dëmshpërblim – 19 për qind

Vozitja në autostradë – 18 për qind

Hyrja dhe bashkimi me trafikun në autostradë – 18 për qind

Telefonata te shërbimi i asistencës rrugore – 18 për qind

Advertisement
Advertisement
Advertisement
✕