Anthony Gordon ka bërë një nisje fantastike të aventurës së tij te Barcelona, duke regjistruar tri asistime në tri paraqitjet e para në La Liga – ndërsa po lë përshtypje të mëdha edhe jashtë fushës.
Gordon është përshtatur shumë shpejt me jetën në Spanjë pas transferimit të tij prej 69.3 milionë funtesh nga Newcastle United gjatë verës.
25-vjeçari hyri nga stoli për të dhënë dy asistime në debutimin e tij me Barcelonën, në fitoren 5-0 ndaj Elches, duke u bërë lojtari i parë në këtë shekull që regjistron më shumë se një asistim në debutimin e tij në La Liga.
Asistimi i tij i tretë, me thembër për Raphinhan në fitoren 5-2 të Barcelonës ndaj Rayo Vallecanos, madje la të shtangur edhe bashkëlojtarin e ri Rodri, i cili po e ndiqte aksionin teksa topi përfundoi në rrjetë.
Gordon tashmë ka edhe një nofkë të krijuar nga tifozët e Barcelonës, pasi tani njihet si “Antoni Gros” – që në anglisht përkthehet thjesht si “Anthony i Madh”.
Anësori i Anglisë ka mësuar spanjisht që nga ditët e tij të para te Newcastle dhe madje vendosi t’u përgjigjej disa pyetjeve në këtë gjuhë gjatë konferencës për shtyp ku u prezantua në qershor.
Por, sipas mediumit spanjoll “SPORT”, mësimi i gjuhës nuk ka përfunduar me kaq.
Raportohet se ai po mëson gjithashtu katalanishten, e cila konsiderohet si “gjuhë autoktone” në Barcelonë – kryeqytetin e Katalonjës – dhe vlerësohet se mund të flitet nga rreth 70 për qind e popullsisë së saj.
“Ai gjithashtu ka treguar një interes të madh për të mësuar më shumë rreth gjuhës autoktone të Katalonjës, katalanishtes”, thuhet në raportim.
“Çështja është se Gordon nuk dëshiron të jetë thjesht kalimtar në Barcelonë dhe ka dëshmuar në mënyrë të mjaftueshme dëshirën e tij për t’u përshtatur me ambientin e Barcelonës, si dhe me njerëzit që ishin pjesë e klubit përpara se ai të vinte nga Newcastle”, thuhet tutje.
Gordon ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare në “Camp Nou”, e cila do ta mbajë atë te Barcelona deri në verën e vitit 2031.
Ai i tha “The Telegraph” se i ishin dashur vetëm gjashtë mësime për të qenë në gjendje të fliste një spanjishte disi të rrjedhshme gjatë prezantimit të tij dhe se e kishte intensifikuar mësimin e gjuhës që nga momenti kur u konfirmua transferimi i tij te Barcelona.
“Është e vështirë. Njerëzit gjithmonë i shohin rezultatet përfundimtare dhe supozojnë se është e lehtë, sepse, sigurisht, kur praktikon pak, bëhet më e lehtë”, tha Gordon.
“Por është vërtet e vështirë, sepse po mëson një gjuhë krejtësisht të re. Po përpiqesh të përkthesh në spanjisht gjithçka që mendon në anglisht. Pra, është shumë e vështirë”, shtoi ai.
“Nuk do të thosha se jam inteligjent nga ana intelektuale”, shtoi ai tutje.
“Siç thashë në konferencën për shtyp, gjithmonë flisja pak spanjisht me fizioterapistin tim spanjoll [te Newcastle], pikërisht për këtë arsye”, vazhdoi ai.
Barcelona do të rikthehet në aksion të dielën, kur do të udhëtojë në “Estadio de Mestalla” për t’u përballur me Valencian.
Gordon do të shpresojë të regjistrojë startin e tij të tretë radhazi, pasi ishte titullar ndaj Vallecanos dhe Athletic Bilbaos./GazetaExpress/