TIRANË- Avokati mbrojtës i Erion Veliajt, Plarent Ndreca ka reaguar në lidhje me gjetjen e 5 pajisjeve celulare në ambientet e paraburgimit të Durrësit, në sektorin B, ku akualisht është duke qëndruar dhe kryebashkiaku i Tiranës. Në një reagim të bërë për mediat, Ndreca thotë se asnjë nga aparatet celulare nuk i përket Veliajt, dhe çdo insinuatë për përfshirjen e kryebashkiakut është e qëllimshme.
“Në lidhje me lajmin e publikuar në disa media për gjetjen e pesë aparateve celularë gjatë një kontrolli në sektorin B të IEVP Durrës, ku ndodhet edhe z. Erion Veliaj, sqarojmë se asnjë prej aparateve celularë të publikuar si të gjetur nuk i përket z. Veliaj dhe asnjë prej tyre nuk është gjetur në dhomën, posedimin apo sendet e tij personale. Për rrjedhojë, çdo informacion apo insinuatë që mund ta lidhë z. Veliaj me aparatet e gjetura është i pavërtetë”, ka deklaruar për mediat Plarent Ndreca.
Pesë aparatët celularë që u gjetën në ambientet e paraburgimit i janë përcjellë SPAK-ut përmes BKH-së, për t’iu nënshtruar ekzaminimit në laboratorin e ekspertizës së posaçme.
Ekspertiza do të synojë të përcaktojë nëse dhe nga kush janë përdorur pajisjet, si dhe mënyrën se si ato kanë hyrë në ambientet e burgut.
Autoritetet pritet të analizojnë të dhënat e celularëve për të identifikuar përdoruesit dhe për të verifikuar nëse pajisjet janë përdorur për komunikime të jashtëligjshme nga brenda institucionit të vuajtjes së dënimit.
Ky nuk është rasti i parë i sekuestrimit të celularëve në burgjet shqiptare. Më herët, autoritetet kanë sekuestruar dhe dërguar në SPAK edhe telefonin e Laert Haxhiut.
Gjithashtu, javën e kaluar një tjetër celular u gjet në burgun e Peqinit dhe iu dërgua SPAK-ut për verifikim.
Hetimet për pesë pajisjet e gjetura në sektorin B të burgut të Durrësit vijojnë dhe pritet që ekspertiza teknike të hedhë dritë mbi personat që i kanë përdorur ato dhe rrethanat e futjes së tyre në burg.
Veliaj qëndron prej pothuajse 19 muajsh në ambientet e paraburgimit të Durrësit, ndërsa së fundi ai ka qenë protagonist në skenën politike, për shkak se po synon drejtimin e kryeqytetit, nga qelia. Veliaj ka firmosur një sërë lëvizjesh nga e premtja dhe në vazhdim, ndërkohë që në datën 15 Shtator, Gjykata e Lartë pritet të shprehet për masën e sigurisë së arrestit me burg./SHEKULLI
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/