Një kontroll i befasishëm është zhvilluar në orët e para të mëngjesit në burgun e Durrësit, ku autoritetet kanë zbuluar pesë aparate celularë në një prej sektorëve të institucionit.
Celularët janë gjetur në sektorin B, ku qëndrojnë disa ish-zyrtarë, mes tyre edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Kontrolli është kryer nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ndërsa deri në këtë fazë nuk është përcaktuar se cilit prej të burgosurve apo të paraburgosurve i përkasin pajisjet e sekuestruara.
Sipas gazetares Anila Hoxha, pesë celularët i janë përcjellë SPAK-ut përmes BKH-së, për t’iu nënshtruar ekzaminimit në laboratorin e ekspertizës së posaçme.
Ekspertiza do të synojë të përcaktojë nëse dhe nga kush janë përdorur pajisjet, si dhe mënyrën se si ato kanë hyrë në ambientet e burgut.
Autoritetet pritet të analizojnë të dhënat e celularëve për të identifikuar përdoruesit dhe për të verifikuar nëse pajisjet janë përdorur për komunikime të jashtëligjshme nga brenda institucionit të vuajtjes së dënimit.
Ky nuk është rasti i parë i sekuestrimit të celularëve në burgjet shqiptare. Më herët, autoritetet kanë sekuestruar dhe dërguar në SPAK edhe telefonin e Laert Haxhiut.
Gjithashtu, javën e kaluar një tjetër celular u gjet në burgun e Peqinit dhe iu dërgua SPAK-ut për verifikim.
Hetimet për pesë pajisjet e gjetura në sektorin B të burgut të Durrësit vijojnë dhe pritet që ekspertiza teknike të hedhë dritë mbi personat që i kanë përdorur ato dhe rrethanat e futjes së tyre në burg.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/