Protesta e 95-të kundër qeverisë ka vijuar mbrëmjen e sotme me marshimin e qytetarëve në rrugët e Tiranës, pas fjalimeve të mbajtura në sheshin përpara Kryeministrisë.
Në krye të marshimit janë vendosur studentët, vajzat dhe gratë, ndërsa protestuesit kanë nisur lëvizjen nëpër rrugët e kryeqytetit.
Gjatë marshimit janë dëgjuar thirrje kundër kryeministrit Edi Rama, ndërsa protestuesit kanë kërkuar edhe lirimin e qytetarëve dhe aktivistëve të arrestuar pas përplasjeve të mbrëmjes së kaluar.
“Arrestoni Ramën, lironi qytetarët” dhe “Rama në burg, Berisha në burg” ishin disa prej thirrjeve të protestuesve gjatë marshimit.
Studentët iu janë bashkuar qytetarëve që prej 95 ditësh protestojnë përpara Kryeministrisë kundër qeverisë Rama. Ata kanë mbajtur në duar pankarta me mesazhe si “Bashkohuni studentë, kombi na thërret” dhe “Studentët janë këtu”.
Në momentin kur studentët iu bashkuan marshimit, protestuesit brohoritën “Pa rini nuk ka Shqipëri”.
Më herët, protestuesit kanë paralajmëruar se më 7 shtator, kur shënohen 100 ditë nga nisja e protestave, do të rrethojnë të gjithë godinën e Kryeministrisë.
Një prej protestuesve deklaroi se kryeministri Edi Rama “nuk ka parë gjë akoma”, duke shtuar se qytetarët nuk do të largohen nga sheshi derisa ai të japë dorëheqjen.
Ditën e djeshme protestuesit rrethuan hyrje-daljet e kryeministrisë, duke ‘ngujuar’ për afro 2 orë në godinë kreun e ekzekutivit, Edi Rama. Pas përplasjeve me policinë që vijuan edhe në rrugën ‘Mine Peza’ përballë Komisariatit numër 3, 14 prej tyre janë shoqëruar në polici dhe mbahen ende në qeli.
Marshimi i protestuesve vijoi drejt bllokut të sigurisë ku po mbahen të shoqëruarit e djeshëm. “Nuk jeni vetëm”, kanë qenë këto thirrjet e protestuesve ndërsa kanë mbërritur te Blloku i Sigurisë.
Duket se shtatori ka kthyer qytetarët në Tiranë pas pushimeve, pasi numri i pjesëmarrësve në protestën e sotme është dukshëm më i lartë nga javët e fundit.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/