Një aksident tragjik i ka prerë jetën në mes gazetarit 26-vjeçar, Xhesjon Zogu. I riu humbi jetën ditën e sotme në një aksident të rëndë rrugor të regjistruar në aksin Fushë Krujë-Rinas, mbi urën e Gjolës.
Zogu udhëtonte me mjetin Land Rover, ndërsa sipas informacioneve paraprake përballë iu shfaq mjeti tip Benz me drejtues Behar Ruçin. Ky i fundit ishte futur në një parakalim të gabuar dhe përplasja i mori jetën Xhesjonit 26-vjeçar, që ishte rritur dhe vijonte të përballej me një jetë të vështirë.
I rritur jetim pasi i ati i kishte ndërruar jetë rreth 20 vite më parë, Xhesjoni jetonte në një fshat të thellë në Krujë, ku kishte të ëmën e sëmurë dhe gjyshin e moshuar. Zogu e bënte ditë për ditë rrugën drejt Tiranës për punë, por kjo e mërkurë rezultoi fatale nga ‘të fortët e paduruar në timon’, që thelluan dramën e një familje.
Vitet e shkollimit Xhesjoni la fshatin dhe për të qenë më pranë Tiranës u strehua te xhaxhai në Priskën e Vogël, duke sakrifikuar për dijen. I njohur si një djalë punëtor, ai ishte shtylla e familjes, ndërsa sot ajo shtyllë u thye duke lënë pas dhimbje dhe lot për të ëmën e cila ka kaluar dy parainfarkte, gjyshin, të afërmit dhe kolegët.
Me dhimbje ka reaguar edhe Universiteti ku ai tashmë punonte në zyrën e shtypit. ‘’Sot, i gjithë komuniteti i Western Balkans University humbën jo vetëm një koleg, por një të ri që kishte ende kaq shumë për të jetuar, për të ëndërruar dhe për të realizuar.
Është e vështirë të gjejmë fjalët përballë një humbjeje kaq të papritur. Në këto momente dhimbjeje, mendimet dhe ngushëllimet tona më të sinqerta janë pranë familjes së Xhesjonit, të afërmve dhe të gjithë atyre që e deshën dhe e njohën. Do të na mungosh, Xhesjon.
Do të na mungojë energjia jote, dëshira jote për jetën dhe gjithçka që ende ëndërroje të realizoje. U prehsh në paqe’’, shkruan Western Balkans University./ SHEKULLI
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/