TIRANË- Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, ka firmosur shkarkimin nga detyra të nënkryetarit Blendi Sulaj, i cili u emërua në detyrë pas arrestimit të tij, dhe kalimit të kompetencave te Ristani. Gjatë ditës së sotme, në media u raportua se Veliaj iu kishte lënë kohë nënkryetarëve që të dorëhiqeshin, por duke ndeshur në refuzimin e tyre, ka nisur me firmosjen e shkarkimeve.
Dy nënkryetarët e tjerë që pritet të largohen janë Ilir Mengra, Gentian Këri dhe Blendi Sulaj, të cilëve Erion Veliaj u ka kërkuar të paraqesin dorëheqjen. E vetmja që do të vijojë të mbajë pozicionin e nënkryetares së Bashkisë, do të jetë Vasilika Vjero.
Ndërkohë që ndryshimet duket se do të prekin dhe nivele më të ulëta të administratës. Veliaj, edhe pse në pozita të paimagjinueshme për një kryebashkiak, iu ka kërkuar të largohen nga postet që mbajnë dhe drejtorëve Erion Çaka, Daniel Demiri dhe Berta Piro.
Të tre konsiderohen si zyrtarë të afruar në Bashkinë e Tiranës gjatë periudhës së re të drejtimit të institucionit dhe janë emra të lidhur politikisht me ish zv/kryeministren Belinda Balluku.
Pozicionet që ata mbajnë janë ndër më të rëndësishmet në administratën e kryeqytetit.
Erion Çaka mban detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë Juridike, Aseteve dhe Licencimit, një strukturë kyçe për vendimmarrjen juridike, pronat dhe asetet e Bashkisë.
Daniel Demiri është Drejtor Kabineti në Bashkinë e Tiranës, pra pjesë e strukturës që qëndron drejtpërdrejt pranë drejtimit politik të institucionit.
Ndërsa Berta Piro mban postin e Drejtoreshës së Përgjithshme të Menaxhimit Financiar, një nga pozicionet më të rëndësishme për administrimin financiar dhe buxhetor të Bashkisë.
Ndërkohë që ligji e parashikon qartë, se në rastet kur kryetari nuk mund të ushtrojë kompetencat e tij, ai i delegon ato te një prej nënkryetarëve të Bashkisë. Në kushtet kur Veliaj mund të zgjedhë emra të besuar të tij, mund të kemi një person tjetër që do ti delegohen detyrat si në rastin Ristani.
Mësohet se zyrtarët që preken nga kjo valë spastrimesh në Bashkinë e Tiranës, i kanë kërkuar një takim kryeministrit Edi Rama, por ky i fundit ka zgjedhur heshtjen, ndërsa publikisht kryeministria ka dalë me një deklaratë, ku legjitimonte shkarkimin e Ristanit nga Veliaj.
Duke iu referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që la Veliajn në detyrën e kryebashkiakut, kryeministria tha se është në kompetencën e tij të delegojë apo jo pushtetin. Të gjitha këto lëvizje në Bashkinë e Tiranës, që bëhen nga paraburgimi i Durrësit, vijnë në një kohë që në datën 15 Shtator, Gjykata e Lartë do të shprehet mbi masën e arrestit të Veliajt, ndërsa kryebashkiaku ka pritshmëri për lirimin e tij, pas 19 muajsh pas hekurave. /SHEKULLI
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/