Evis Sala ka reaguar për herë të parë, pasi dha dorëheqjen nga posti i ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale. Në reagim, Sala shprehet se shkak i dorëheqjes është fakti që ka pranuar disa angazhime ndërkombëtare, të cilat ajo i cilëson si të rëndësishme. Megjithatë, ajo sqaron se ky angazhim i ri nuk ka lidhje me post zyrtar.
Më tej Sala shprehet se detyra në krye të ministrisë së Shëndetësisë ishte e vështirë por gjatë një viti janë kryer disa hapa të rëndësishëm, e po ashtu shumë të tjerë janë në nisje. Sala falenderon kryeministrin Edi Rama për besimin dhe stafin e spitaleve të vendit. Po ashtu një falenderim e ka edhe për qytetarët.
“Sot ishte mbledhja ime e fundit si anëtare e kabinetit qeveritar, pasi kam pranuar disa angazhime ndërkombëtare të rëndësishme në fushën time të ekspertizës: onkolologji – inteligjencë artificiale – inovacion.
Një vit më parë mora përsipër me përgjegjësi të madhe detyrën e Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, një fushë plot sfida e vështirësi. I jam mirënjohëse Kryeministrit Edi Rama për besimin dhe mbështetjen, si dhe çdo mjeku, infermieri, profesionisti dhe punonjësi të sistemit të shëndetësisë e mirëqenies sociale që punoi çdo ditë për ta bërë sistemin më të mirë. Një falenderim të veçantë për çdo qytetar shqiptar që më shkroi, sugjeroi apo kërkoi më shumë prej nesh. Në këtë vit kemi bërë hapa të rëndësishëm në shëndetësi. Shumë prej tyre janë të dukshëm sot, të tjerë sapo kanë nisur.
Angazhimi im për Shqipërinë nuk lidhet me një post. Ai është pjesë e asaj që jam dhe do të vazhdojë përmes dijes, eksperiencës dhe rrjetit tim profesional ndërkombëtar. Sepse detyrat kanë një fillim dhe një fund. Por, përgjegjësia dhe lidhja me vendin tënd nuk kanë kufij!”- shprehet ish-ministrja.

Evis Sala ishte një nga emrat që premtonte më shumë kur kryeministri Edi Rama prezantoi kabinetin e ri qeveritar, vitin e kaluar. Para se të vinte në Shqipëri, Sala drejtonte Qendrën për Imazheri Diagnostike dhe Radioterapi Onkologjike në Poliklinikën “Gemelli”. Po ashtu ajo ka qenë pedagoge në institucionet e arsimit të lartë, ku kontribuon me përvojën e saj akademike dhe kërkimore për formimin e brezit të ri të profesionistëve të shëndetit. Sala ka një karrierë të gjatë akademike dhe kërkimore në Mbretërinë e Bashkuar, ku për shumë vite ka qenë pjesë e Universitetit të Kembrixhit dhe ka bashkëdrejtuar Programin e Avancuar të Imazhimit të Kancerit dhe Programin e Integruar të Mjekësisë së Kancerit në Qendrën e Kërkimit të Kancerit në Kembrixh.
Megjithatë, pavarësisht CV-së së shkëlqyer, Sala nuk la gjurmë në sistemin e shëndetësisë shqiptare. Së fundi, ajo ka qenë në qendër të sulmeve për shkak të vendimit për të shtetëzuar koncensionin e dializës dhe sterilizimit, si dhe për shkak të akuzave që lëvizja ishte për të favorizuar biznesmenë të caktuar në sektorin privat. Po ashtu, edhe rastet e fundit të vdekjeve tragjike në Vaun e Dejës dhe në Pogradec, ku dyshohet se ka patur neglizhencë mjekësore kanë ngjallur polemika ndaj Salës. E duket se kjo barrë, ka bërë që ajo të japë dorëheqjen nga posti i Ministres.
Tashmë i mbetet kryeminsitrit Edi Rama të zgjedhë drejtuesin e një prej ministrive më të rëndësishme në vend, që vitet e fundit ka qenë në qendër të kritikave.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/