TIRANË- Kryeministri Edi Rama, është duke mbajtur fjalën e tij përpara grupit parlamentar, dhe ministrave socialistë, ku ka shpjeguar se si do të funksionojë Prania Besnike. Sipas Ramës, sa kohë që ai të jetë kryetar i Partisë Socialiste, çdo të premte në orën 5 pasdite, deputetët duhet të jenë në terren, për të dëgjuar shqetësimet e qytetarëve, pa kamera, pa shoë, dhe pa shkëmbyer numrat e telefonit, me premtimin se halli do të zgjidhet.
“Çdo të premte në orën 5, deri sa unë të jem kryetar i PS, do të keni praninë besnike. Të gjithë, në territor, pranë njerëzve. Jo për mbledhje, ku vijnë njerëzit, flasin dhe fillojmë flasim. Prania besnike është dëgjim me radhë, ballë për ballë, tek për tek, me zë të ulët”, tha kryeministri.
Sipas kreut të qeverisë, takimet duhet të shërbejnë për të dëgjuar shqetësimet e çdo qytetari pa asnjë lloj dallimi apo favorizimi politik, ndërsa tha se fotoja me të pranishmit mund të bëhet vetëm me aprovimin e tyre.
“Të vijë kushdo të qajë hallin, të flasë tek për tek, dhe të mbajë shënim hallin që robi i zotit po flet. Pa kamera. Vetëm me foto në fillim të takimit nëse personi pranon, dhe pa ekspozim fytyre. Refuzohet përkatësia partiake, nuk ka rëndësi.”
Gjithashtu, Rama u bëri thirrje të prerë ligjvënësve socialistë që të mos kthehen në ndërmjetës apo të shkelin rregullat për të premtuar zgjidhje të jashtëligjshme, por të ndjekin rrugën zyrtare.
“Mos jepni shpresë për ndihmë jashtë rregullave. Deputeti nuk kthehet sekser, të mos marrin asnjë drejtor në telefon, por të dërgojë me shkrim institucional hallin e qytetarit”, u shpreh ai.
“Prania besnike nuk matet me video, se nuk do të ketë kamera, as me foto, prania besnike nuk jep premtime, nuk jep numrin e telefonit, por është një kompjuter që mban shënim, ata që ne vetëm do ti dëgjojmë. Do miratojmë një modul të matjes së punës së deputetit, në këtë botë të re, ku ne jetojmë në fakt mes dy botësh, asaj të realitetit fizik, dhe të asaj të pasqyrave”, vijoi Rama fjalën e tij.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/