PRISHTINË – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, kanë zhvilluar një takim pas dështimit të sigurimit të mbështetjes së nevojshme në Kuvend për zgjedhjen e kandidatit për president, Bekim Sejdiu.
Pas përfundimit të takimit, Kurti është larguar nga Kuvendi pa dhënë deklarata për mediat. Ai pritet të vijojë takimet me përfaqësuesit e komuniteteve joserbe.
Ndërkohë, Abdixhiku ka folur shkurt për takimin, duke e cilësuar atë si një komunikim institucional pas zhvillimeve të fundit.
“Ishte një njoftim i rregullt pas zhvillimeve të fundit. Kemi njoftuar zyrtarisht njëri-tjetrin për zhvillimet në parti, siç është në rregullore”, deklaroi Abdixhiku.
Kreu i LDK-së tha se përgjegjësia për hapin e radhës u takon atyre që po e çojnë Kosovën drejt një faze të paqartë.
“Për hapin e radhës duhet të pyesni ata që po duan ta çojnë Kosovën në një fazë të paqartë. Gjendja numerike në Kuvend është kjo që është”, u shpreh ai.
Abdixhiku theksoi se ka tentuar të gjendet një zgjidhje, por distancimi i partive të tjera po e shtyn vendin drejt zgjedhjeve të reja.
“Unë jam përpjekur të gjej një zgjidhje, por distancimi i partive të tjera po e çon Kosovën në zgjedhje të reja. Çdo parti është e mirëseardhur të ndihmojë në këtë situatë”, tha ai.
Në përfundim, Abdixhiku e cilësoi situatën në Kuvend si të vështirë për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
“Ne jemi në një situatë të pamundur numerike për të zgjedhur presidentin e ri”, deklaroi kryetari i LDK-së.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/