Evis Sala, një nga emrat më domethënës për nga përvoja profesionale në qeverinë Rama, ka dhënë dorëheqjen nga posti i Ministrisë së Shëndetësisë, pa e mbushur ende një vit në krye të këtij dikasteri, një nga më të rëndësishmit në vend. Në vendimin e komunikuar sot në mbledhjen e qeverisë, Sala argumentoi se dorëheqja e saj lidhej me angazhimet në fushën akademike, të cilat nuk i mungonin, as përpara emërimit në kabinetin Rama.
Shtatorin e kaluar, kur emri i saj u propozua për të qenë ministre shëndetësie, Sala kishte hezituar për të dhënë shpejt një përgjigje pozitive, e duket se sot pas pothuajse 12 muajsh në detyrë, arsyet për të qëndruar larg politikës janë shtuar.
Sala nuk la gjurmë në sistemin e shëndetësisë, edhe pse karriera e saj jashtë vendit, në spitalet më të mira kishte premtuar shumë. Së fundi, ajo ka qenë në qendër të sulmeve për shkak të vendimit për të shtetëzuar koncensionin e dializës dhe sterilizimit, si dhe për shkak të akuzave që lëvizja ishte për të favorizuar biznesmenë të caktuar në sektorin privat.
E duket se kjo barrë, e këtyre vendimeve të pritshme në sektor, ka bërë që ajo të japë dorëheqjen nga posti i Ministres.
Përpara marrjes së detyrës si ministre Sala drejtonte Qendrën për Imazheri Diagnostike dhe Radioterapi Onkologjike në Poliklinikën “Gemelli”. Po ashtu ajo ka qenë pedagoge në institucionet e arsimit të lartë, ku kontribuon me përvojën e saj akademike dhe kërkimore për formimin e brezit të ri të profesionistëve të shëndetit.
Sala ka një karrierë të gjatë akademike dhe kërkimore në Mbretërinë e Bashkuar, ku për shumë vite ka qenë pjesë e Universitetit të Kembrixhit dhe ka bashkëdrejtuar Programin e Avancuar të Imazhimit të Kancerit dhe Programin e Integruar të Mjekësisë së Kancerit në Qendrën e Kërkimit të Kancerit në Kembrixh./SHEKULLI
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/