ITALI- Valter Lavitola, biznesmeni italian i arrestuar nën akuzën se është porositësi i atentatit ndaj gazetarit Sigfrido Ranucci, është sulmuar brenda burgut të Rebibbias në Romë.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e 1 shtatorit, ndërsa sipas mediave italiane, Lavitola është sulmuar nga disa të burgosur. Ai është marrë menjëherë në kujdesin e personelit të burgut dhe është vizituar nga mjekët.
Gjendja e tij nuk paraqitet e rëndë dhe nuk është në rrezik për jetën, sipas burimeve të burgut. Për momentin nuk janë bërë të ditura motivet e agresionit dhe as identitetet e personave që e kanë sulmuar.
Ngjarja tashmë është nën hetim nga Prokuroria e Romës, e cila po përpiqet të zbardhë dinamikën e sulmit.
Lavitola ndodhet në Rebibbia që prej 10 gushtit, kur u arrestua në kuadër të hetimit për atentatin ndaj ish-drejtuesit të emisionit investigativ “Report”, Sigfrido Ranucci.
Në të njëjtin institucion ndodhen edhe tre persona të dyshuar si realizuesit e planit, që vendosën lëndën plasëse në makinën e gazetarit, Pellegrino D’Avino, Antonio Passariello dhe Saverio Mutone.
Atentati ndodhi më 15 tetor 2025, kur një pajisje shpërthyese u vendos pranë shtëpisë së Ranuccit. Hetimi po përpiqet të zbardhë ende rolet e personave të përfshirë dhe motivet e sulmit.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/