Këshilli i Lartë Gjyqësor i është përgjigjur Ministrisë së Financave lidhur me situatën e pagave të magjistratëve dhe personelit të sistemit të drejtësisë, pas deklaratave se pagesat nuk janë bllokuar, por se listëpagesat e muajit gusht janë paraqitur mbi një metodologji të ndryshme nga ajo në fuqi.
Në një përgjigje zyrtare, KLGJ argumenton se listëpagesat e gushtit 2026 janë hartuar dhe dorëzuar pranë degëve përkatëse të Thesarit në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe në zbatim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas KLGJ-së, pagat e administratës gjyqësore dhe të personelit mbështetës nuk preken nga Vendimi nr. 15/2026 i Gjykatës Kushtetuese dhe as nga Vendimi nr. 435, datë 26 gusht 2026, për miratimin e pagës referuese bazë për magjistratin.
Për këtë arsye, KLGJ i kërkon Ministrisë së Financave ekzekutimin e menjëhershëm të pagave për muajin gusht për të gjithë nëpunësit dhe punonjësit e administratës së Këshillit të Lartë Gjyqësor, administratës gjyqësore dhe personelit tjetër mbështetës të gjykatave të të tre niveleve.
KLGJ sqaron se listëpagesat mujore dhe urdhër-shpenzimet përgatiten në bazë të strukturave organizative të miratuara dhe listë-prezencave mujore të hartuara nga strukturat përgjegjëse për burimet njerëzore.
Sipas Këshillit, dokumentet ndahen vetëm sipas bankave ku magjistrati apo punonjësi ka llogarinë bankare dhe nuk përbëjnë pengesë për ekzekutimin e pagave të administratës për shkak të verifikimeve që lidhen me pagat e magjistratëve.
KLGJ kundërshton gjithashtu argumentin se përfshirja në të njëjtin dokument e pagave të magjistratëve dhe administratës ka shkaktuar vonesa në përpunim. Këshilli thekson se procedurat janë ndjekur në përputhje me rregullat dhe legjislacionin në fuqi.
Në shkresën zyrtare, KLGJ mohon se ka krijuar një politikë të re page apo se ka zëvendësuar Kuvendin në ushtrimin e kompetencës ligjvënëse, duke argumentuar se veprimet e ndërmarra janë bërë në zbatim të kuadrit ligjor dhe vendimeve përkatëse.
Përplasja mes institucioneve vjen në një moment kur pagesat e gushtit për punonjësit e sistemit të drejtësisë janë kthyer në një çështje debati mes KLGJ-së dhe Ministrisë së Financave.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/