E martë, 15 Shtator 2026 7 PA 5 deri në 09:00 Në vijim ora 09:00: Mes'dritë Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

Begaj pret ambasadoren e re të Zvicrës: Forcim i marrëdhënieve dhe rritje e investimeve zvicerane në Shqipëri

Ilustrim · Vizion Plus

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti në një takim Ambasadoren e re të Konfederatës Zvicerane në Shqipëri, Sh.S. Dr. Siri Walt, me rastin e prezantimit të Letrave Kredenciale.

Presidenti Begaj i përcolli Ambasadores Walt urimet më të mira për fillimin e detyrës së saj në Shqipëri dhe shprehu besimin se mandati i saj do t’i shërbejë forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve.

Gjatë takimit u vlerësuan marrëdhëniet e ngushta dhe miqësore Shqipëri–Zvicër, të mbështetura në vlera të përbashkëta evropiane, dialogun e rregullt politik dhe një bashkëpunim të gjerë në fusha me rëndësi të veçantë, përfshirë qeverisjen, zhvillimin ekonomik, arsimin dhe formimin profesional, shëndetësinë, qeverisjen vendore dhe mbrojtjen e mjedisit.

Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës në proceset e zhvillimit demokratik, ekonomik dhe social të Shqipërisë, si dhe për kontributin e saj në forcimin e institucioneve dhe qeverisjes vendore përmes programeve të bashkëpunimit për zhvillim dhe asistencës teknike.

Kreu i Shtetit çmoi në mënyrë të veçantë investimet e qeverisë zvicerane në zonat rurale.Ne kemi njerëz dhe një natyre të mrekullueshme, – u shpreh ai.Investimet në këto zona në rritjen e cilësisë së jetesës janë një investim që bëjmë për brezat e rinj. Gjithashtu, ruajta e trendit pozitiv që Shqipëria ka në turizëm ndihmohet shumë nga këto investime”, – u shpreh Presidenti i Republikës.

Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe mirëpriti rritjen e investimeve dhe praninë e shtuar të bizneseve zvicerane në Shqipëri.

Në takim u vlerësua  roli i rëndësishëm i Diasporës shqiptare në Zvicër, si një urë e fortë lidhëse mes dy vendeve dhe popujve.

Xhuljana Zhuleku
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh