Sekretari amerikan i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., ka akuzuar ish-drejtorin e Institutit Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive, Anthony Fauci, si përgjegjës kryesor për mënyrën se si u trajtua pandemia e Covid-19 në SHBA. Deklaratat erdhën gjatë një interviste për CNN.
Intervista u zhvillua vetëm pak ditë pas dëshmisë së Fauci-t në Kongres, ku ai iu referua Amendamentit të Pestë mbi 100 herë, duke shmangur përgjigjet ndaj pyetjeve që mund ta ngarkonin vetë. Seanca shkaktoi reagime të ashpra nga ana e republikanëve lidhur me rolin e tij gjatë krizës shëndetësore.
Në të njëjtën bisedë, Kennedy mori anën e presidentit Donald Trump, duke pohuar se ky i fundit kishte kërkuar heqjen e izolimeve dhe se përgjegjësia për to nuk i takonte atij.
"Trump donte t'u jepte fund lockdown-eve. Besoj se ato ishin gjëja që i shkaktoi dëmin më të madh vendit", tha Kennedy.
Ekspertë të fushës kujtojnë megjithatë se masat kufizuese u vendosën kryesisht nga qeveritë shtetërore e lokale, në një moment kur sistemi spitalor dhe repartet e terapisë intensive ishin të mbingarkuara.
Ashish Jha, i cili drejtoi më parë përgjigjen ndaj Covid-19 në administratën Biden, iu përgjigj shpejt komenteve të Kennedy-t, duke theksuar se vendimmarrja politike u takon zyrtarëve të zgjedhur dhe jo shkencëtarëve këshillues. Ai shtoi se shumë nga pretendimet e Kennedy-t rreth vaksinave nuk qëndrojnë faktikisht.
Gjatë intervistës Kennedy u ndal edhe tek vaksinat ku tha se shpërthimet e sëmundjes së fruthit prekin kryesisht komunitetet fetare që refuzojnë vaksinimin, ndërsa mohoi që të ketë vënë ndonjëherë në pikëpyetje efikasitetin e vaksinës MMR, pavarësisht se më herët ai kishte lënë të kuptohej se efikasiteti i vaksinës mund të dobësohet me kalimin e kohës, gjë që sipas tij mund të ndikonte në rikthimin e sëmundjes.
Kennedy gjithashtu tha se dhjetëra studime tregojnë lidhje mes përdorimit të paracetamolit gjatë shtatzënisë dhe autizmit. Në realitet, edhe pse disa hulumtime kanë ngritur hipoteza të tilla, shkenca nuk ka vërtetuar një lidhje shkakësore, dhe institucionet kryesore mjekësore vazhdojnë ta konsiderojnë paracetamolin të sigurt kur përdoret sipas nevojës gjatë shtatzënisë.
Sekretari kërkoi prova konkrete se vaksinat anti-Covid u kanë sjellë më shumë përfitim se dëm fëmijëve.
Nga ana tjetër sipas shifrave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në SHBA janë dhënë mbi 700 milionë doza të këtyre vaksinave, ndërsa vlerësohet se globalisht ato kanë shpëtuar rreth 2.5 milionë jetë gjatë periudhës 2020-2024.
