Në një intervistë për Euronews Albania, profesor Dritëro Arifi ka analizuar thelbin e konceptit të "botës serbe" dhe raportin e Serbisë me politikën e jashtme të Bashkimit Europian, duke theksuar se ndonëse Serbia thotë se është e interesuar drejt anëtarësimit në BE dhe NATO, synon njëkohësisht të pozicionohet si "pika vendimmarrëse" për të gjithë Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që vendet e rajonit të varen prej saj edhe pas integrimit të tyre eventual në BE.
"Logjika e botës serbe nuk është më ajo që ka qenë para disa viteve, sepse kam bërë një azhornim të strategjisë sime për vitin 2024. Aty qëndron ende fakti që Serbia dëshiron të anëtarësohet në BE dhe në NATO, nuk ka ndonjë specifikë tjetër kryesore, sepse dëshiron t'i qëndrojë realitetit. Por për vendet e Ballkanit Perëndimor ka këtë logjikë, Serbia duhet të ketë një përparësi të madhe, në mënyrë që, kur vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në Bashkimin Europian, ajo të jetë aty si një shtet rreth të cilit do të sillet vendimmarrja.", tha Arfi.
Duke iu përgjigjur pyetjes pse shoqëria serbe nuk ka arritur një "vetëemancipim" nga logjika nacionaliste e fundshekullit XX. Profesori identifikoi dy shkaqe kryesore së pari, sistemin arsimor serb, të cilin e cilësoi si të mbushur me një nacionalizëm "patetik dhe primitiv" dhe së dyti, rolin e Kishës Ortodokse Serbe, të cilën e akuzoi si njërën ndër predikueset kryesore të këtij nacionalizmi.
"Janë dy çështje që mendoj kanë ndikuar, e para ka të bëjë me edukimin. Edukimi në Serbi është i ngulitur shumë thellë në një nacionalizëm patetik dhe primitiv, të cilin Serbia e ushqen prej shumë vitesh. Për fat të keq, njëri nga predikuesit më të thellë të këtij nacionalizmi është kisha serbe, që duhet ta themi shumë qartë. Kisha serbe ka qenë edhe pjesëmarrëse në krimet në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kosovë, dhe asnjëherë nuk është distancuar nga gjenocidet që i ka kryer ushtria serbe dhe paramilitarët serbë.
E dyta, për fat të keq, është vetë bota perëndimore, Bashkimi Europian dhe SHBA-ja, të cilët nuk e kanë dënuar mjaftueshëm gjenocidin serb. Edhe pse e kanë bombarduar ushtarakisht, nuk e kanë penalizuar as juridikisht, as politikisht." vijoi ai.
