Arrestimi i biznesmenit shqiptar Ermal Beqiri në Francë, ka marrë vëmendjen e mediave vendase, të cilat kanë dhënë detaje mbi procesin që po mbahet ndaj sipërmarrësit shqiptar që është shpallur në kërkim nga SPAK.
Ouest France shkruan se Beqiri, i cili u arrestua të shtunën e 25 korrikut në aeroportin Albert në Francën veriore, pasi fluturoi mbi termocentralin bërthamor Penly (Seine-Maritime) me një avion të vogël, dyshohet për një skandal të madh korrupsioni në vendin tonë.
Në artikull theksohet se autoritetet shqiptare dyshojnë atë për mashtrim të organizuar dhe kishin lëshuar një urdhër arresti për të. Sipas SPAK, "hetimet e mëtejshme të kryera nga autoritetet franceze kanë bërë të mundur identifikimin e disa aseteve me origjinë kriminale" që i përkasin Ermal Beqirit në territorin francez.
Prokuroria shqiptare përmend në veçanti "llogari bankare me një shumë totale që tejkalon dy milionë euro, dy apartamente", "një aeroplan turistik", "makina", si dhe një "kështjellë në departamentin e Oise (veri)" , një "blerje" e vlerësuar në "afërsisht 2.6 milionë euro".
Zyra Qendrore për Shtypjen e Krimit të Madh Financiar (OCRGDF), e cila kreu hetimin në Francë, "ka përgatitur, në koordinim me autoritetet gjyqësore franceze dhe shqiptare, masa për të sekuestruar" asetet e identifikuara
Ndërsa në shkrimin e mediumit theksohet se sipas zyrës së prokurorit francez, procedura e ekstradimit mund të zgjasë "disa javë".
Kujtojmë që Beqiri akuzohet nga SPAK se ai përfitoi tender mbi 1.1 milionë euro pas kërcënimeve që krahu i tij i djathtë Ergys Agasi, i bëri bëri një shoqërie të përfshirë në një prej garave.
Po ashtu hetimet e SPAK të nisura për AKSHI-n zbuluan edhe një jaht lukzoz në pronësi të biznesmenit, bëhet fjalë për një jaht të markës predator 50 Skyfall, vlera e të cilit në treg shkon gati 1 milionë euro. Beqiri e kishte vendosur këtë jaht në pronësi të Xhenila Tamizit, punonjëse e kompanisë “Soft & Solutions", por prokurorët e posaçëm dyshojnë se jahti është blerë nga biznesmeni.
