Qytetarët e Belshit janë ngritur në protestë kundër projektit të ri të Reformës Administrativo-Territoriale, i cili parashikon bashkimin e Bashkisë Belsh me Bashkinë Elbasan.
Banorët u mblodhën këtë të shtunë në qendër të qytetit, ku shprehën kundërshtimin e tyre ndaj këtij projekti. Me pankarta në duar dhe mesazhe në mbrojtje të identitetit lokal, protestuesit kërkuan që Belshi të vijojë të funksionojë si një bashki më vete.
Gjatë protestës, qytetarët kërkuan edhe një reagim publik nga drejtuesit vendorë, duke u bërë thirrje institucioneve të Bashkisë Belsh që të mbrojnë interesat e komunitetit dhe të kundërshtojnë ndryshimet.
Protesta në Belsh vjen pas një vale reagimesh në disa bashki të vendit, ku qytetarë dhe përfaqësues vendor kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj projektit të ri të Reformës Administrativo-Territoriale.
