Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Shkrirja e Bashkisë Selenicë, reagon Bellaj: Ky propozim u përjetua si një thikë pas shpine për banorët

Shkruar nga Newsbomb
Shkrirja e Bashkisë Selenicë, reagon Bellaj: Ky propozim u
Nertil Bellaj

Kryetari i Bashkisë së Selenicës, Nertil Bellaj, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me propozimin për shkrirjen e bashkisë dhe bashkimin e saj me Vlorën, në kuadër të reformës së re administrativo-territoriale.

Përmes një reagimi në Facebook, ai ka hedhur poshtë deklaratën e deputetit Ardit Bido, që sipas të cilit “Selenica donte vetë të shkonte në Vlorë”, duke e cilësuar atë si të pavërtetë dhe zhgënjyese për banorët.

Po ashtu, Bellaj thekson se qëndrimi i tij ka qenë dhe do të mbetet i pandryshuar, që sipas tij, “Selenica duhet të mbetet bashki më vete”

“Qëndrimi im ka qenë dhe mbetet i pandryshuar: Selenica duhet të mbetet bashki më vete. Ky nuk është një qëndrim që lidhet me interesa personale apo administrative. Është një detyrim ndaj qytetarëve, ndaj historisë, identitetit dhe potencialit të jashtëzakonshëm të kësaj bashkie,” thekson ai në postim.

Postimi i plotë:

Të dashur banorë të Bashkisë Selenicë,

Mesazhet, telefonatat e shumta, qëndrimi i shprehur nga përfaqësues të komunitetit në mbrojtje të Bashkisë Selenicë, si dhe deklarata e deputetit Bido më obligojnë të bëj publik edhe një herë qëndrimin tim për reformën e re administrativo-territoriale.

Deklarata e deputetit Ardit Bido se “Selenica donte vetë të shkonte në Vlorë” është jo vetëm e pavërtetë, por edhe një zhgënjim i madh për banorët e kësaj treve. Të flasësh në emër të një komuniteti pa e pyetur atë është një goditje ndaj besimit që qytetarët kanë tek përfaqësuesit e tyre. Për shumë banorë të Selenicës, kjo u përjetua si një thikë pas shpine, në një moment kur pritej mbështetje për interesat e zonës dhe jo deklarata që i vendosin ato në pikëpyetje.

Dua të jem shumë i qartë: askush nuk ka të drejtë të vendosë apo të flasë në emër të Bashkisë Selenicë. Vullneti i banorëve nuk mund të zëvendësohet nga dëshirat apo qëndrimet personale të askujt.

Qëndrimi im ka qenë dhe mbetet i pandryshuar: Selenica duhet të mbetet bashki më vete. Ky nuk është një qëndrim që lidhet me interesa personale apo administrative. Është një detyrim ndaj qytetarëve, ndaj historisë, identitetit dhe potencialit të jashtëzakonshëm të kësaj bashkie.

Në dëgjesën pranë Komisionit Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale kam paraqitur argumente të qarta dhe të mbështetura në fakte se Bashkia Selenicë i plotëson të gjitha kushtet për të vijuar si njësi vendore më vete. Shtrirja e saj territoriale, numri i fshatrave, burimet natyrore, potenciali ekonomik dhe performanca e administratës vendore janë prova të mjaftueshme se kjo bashki ka të gjitha mundësitë për të vazhduar të zhvillohet.

Zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet dhe të respektohet. E ardhmja e kësaj bashkie nuk mund të ndërtohet mbi deklarata të pavërteta, por mbi vullnetin e komunitetit dhe interesin më të mirë të tij.

Me besim se zëri i banorëve të Bashkisë së Selenicës do të dëgjohet e vlerësohet pozitivisht nga deputetet e Qarkut Vlorë dhe kuvendit të Shqipërisë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese