75 Mall Live Search
14:49 / E Premte, 04 Shtator 2026 / P M

Tërnava kërkon nga Prokuroria Speciale të zbardhet dokumenti “Top Sekret 2”

Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, përmes përfaqësuesit ligjor të Bashkësisë Islame të Kosovës, i ka kërkuar Prokurorisë Speciale zbardhjen e plotë të dokumentit të pretenduar si “Top Sekret 2”.

Sipas BIK-ut, dokumenti pretendohet se është nxjerrë nga telefoni i të pandehurit Fatmir Sheholli.

Në kërkesën drejtuar kryeprokurorit Blerim Isufaj, BIK-u kërkon sqarimin e origjinës, autenticitetit, mënyrës së sigurimit dhe publikimit të dokumentit. Bashkësia Islame e Kosovës thotë se përmbajtja e pretenduar e dokumentit e paraqet institucionin në mënyrë të rreme, duke e lidhur me shërbime të huaja të sigurisë dhe duke pretenduar se xhamitë e medresetë financohen për qëllime destabilizuese.

BIK-u i ka cilësuar këto pretendime si “akuza jashtëzakonisht të rënda dhe të papranueshme” dhe ka kërkuar nga Prokuroria Speciale që ta sqarojë plotësisht rastin.