Një sherr që ka degraduar në përplasje fizike është regjistruar mesditën e sotme në një prej hoteleve në zonën e Orikumit, në Vlorë, ku një grup prej më shumë se 10 personash, janë përleshur me pronarin e hotelit.
Sipas raportimeve në media, ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:30 në ambjentet e hotel “Regina”, ku disa persona fillimisht kanë kërcënuar me fjalë pronarin e hotelit, Vasil Bedinaj ndërsa më pas kanë nxjerrë armët.
Sipas raportimeve në media, dyshohet se shkak për ngjarjen është bërë një gjobë prej 5 milionë eurosh, megjithatë ende nuk ka një reagim zyrtar nga policia për sqarimin e plotë të rastit.
Pas përleshjes, raportohet se autorët janë larguar nga ambientet e hotelit, ndërsa gjatë ndjekjes nga policia dy prej tyre, që udhëtonin me një automjet, janë aksidentuar në urën e Peshkëpisë, në hyrje të Vlorës.
Të plagosurit janë transportuar me ambulancë drejt spitalit. Sipas informacioneve paraprake, njëri prej tyre ka marrë dëmtime të shumta në shpinë dhe në shtyllën kurrizore, ndërsa personi tjetër ka pësuar dëmtime nga aksidenti.
Sipas raportimeve dy personat që janë aksidentuar janë arrestuar dhe janë nga Tirana, por identiteti i tyre ende nuk është bërë publik.
Pritet një reagim nga policia për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.














