Drejtori i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, i njohur si ‘Fondi i oligarkëve’, Ilir Topi, deklaron një shtëpi 3-katëshe me sipërfaqe 223.4 m2 dhe sipërfaqe ndërtimi 128 m2/kat, me vlerë rreth 35 mijë euro. Si burim të ardhurash, Topi deklaron të ardhura nga emigracioni, aktiviteti bujqësor dhe kursimet nga pagat.

Ilir Topi, me eksperiencë si doganier në Korçë dhe tatimor në Tiranë, ka plotësuar formularin e dekriminalizimit në mars të vitit 2021 në kuadër të mandatit të deputetit të Partisë Socialiste. Në formularin e dekriminalizimit, Topi nuk deklaron se ka jetuar jashtë shtetit për arsye emigracioni. Ilir Topi deklaron se ka qëndruar gjatë periudhës 1995-1997 në Kretë të Greqisë për studime, por jo si emigrant, duke justifikuar shtëpinë 3-katëshe.

Kreu i ‘Fondit të oligarkëve’ pretendon, në CV-në e tij si deputet, shkruan se gjatë periudhës 1995-1996 ka qenë në Greqi për studime pasuniversitare në Institutin Agranomik Mesdhetar, Studime të Avancuara; Maich, Kretë, ndërsa në formular thotë se studimet i ka kryer gjatë periudhës 1995-1997, pra një vit më shumë. Të gjitha këto të dhëna kontradiktore, të deklaruara nga vetë Topi në deklaratën e pasurisë, formularin e dekriminalizimit dhe CV-në si deputet, ngrenë dyshime të forta për deklarim të rremë të pasurisë si dhe për veprën penale ‘falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve’.
Afera me depot dhe farmacitë
Në shtator të vitit të kaluar, ish drejtori FSDKSH Spartak Zekja është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, e cila kishte gjetur një skemë të mirëfilltë zhvatjeje dhe mashtrimi në bashkëpunim me simbolin e mafies së ilaçeve Nadir Çaushollin dhe persona të tjerë, ndërkohë që hetimet prekën edhe disa zyrtarë të tjerë të Fondit. Disa evidenca dhe sinjalizime tregojnë se “trashëgiminë” e lënë nga Zekja po e vijon Ilir Topi, duke favorizuar sërish oligarkët, sidomos ata të cilët e kanë vendosur në atë post.

Ashtu si Zekja, edhe Ilir Topi lejon një rrjet farmacish të vijojnë skemën e mashtrimit me ilaçet e rimbusueshme, ndërsa depot farmacutike vijojnë pa u shqetësuar nga kontrollet kontrabandën e ilaçeve dhe tregtimin në shumë raste të barnave të skaduara, falsifikuara si dhe shitje fiktive. Gjithashtu, Topi ka firmosur rikthimin e kontratës për “CFO Pharma”, një kompani në pronësi të Nadir Çaushollit, e dyshuar nga Prokuroria e Tiranës për krijimin e një skeme mashtruese me rimbursimin e medikamenteve në vlerën 700 mijë euro.
Ilir Topi ka injoruar tërësisht një raport të ri për “CFO Pharma”, ku dyshohet se mashtrimi arrin në të paktën 1.6 milionë euro të tjera. Në 16 Tetor 2025, ish-drejtori i Fondit, Arti Papajani, firmosi ndërprerjen e kontratës me kompaninë e Çaushollit, në vijim të një hetimi administrativ, ku u zbuluan shkelje të rënda financiare me rimbursimin e dy medikamenteve, “Trimbow” dhe “Foster”. Ky vendim u la në fuqi edhe nga Komisioni i Apelimit Administrativ i Ministrisë së Shëndetësisë.
FSDKSH, institucioni më i korruptuar në Shqipëri
Dosjet e SPAK dhe Prokurorisë së Tiranës, operacione policore, disa raporte të KLSH dhe investigime mediatike e vizatojnë Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) si institucionin më të korruptuar në Shqipëri, pavarësisht arrestimeve të herëpashershme, denoncimeve mediatike, auditimeve të shpeshta të KLSH, rekomandimeve dhe ndryshimit të drejtorëve. I quajtur ndryshe si Fondi i Oligarkëve, për shkak se çdo drejtues ka ndjekur interesat korruptive të një rrethi biznesmenësh në shëndetësi, FSDKSH ka ndryshuar të paktën 14 drejtorë në 13 vitet e fundit.

Ata janë Astrit Beci, Milva Ekonomi, Vjollca Braho, Erion Manohasa, Alketa Hila, Eduard Ahmeti, Anila Denaj, Adela Xhemali, Rudina Degjoni, Elisa Bërziu, Albana Çela, Spartak Zekja, Arti Papajani dhe drejtori aktual Ilir Topi, i cili disa ditë më parë ka firmosur rikthimin e një kontrate me natyrë korruptive për “CFO Pharma”, një kompani në pronësi të Nadir Çaushollit, e dyshuar nga Prokuroria e Tiranës për krijimin e një skeme mashtruese me rimbursimin e medikamenteve në vlerën 700 mijë euro.
Krahas skemave sistematike në bashkëpunim me farmacitë dhe depot farmaceutike me rimbursimet fiktive, ilaçe të skaduara, kontrabandën, monopolet, skemave të mashtrimit etj., drejtuesit e FSDKSH kanë mundësuar edhe zbardhimin e deformuar të kontratave të katër koncensioneve në shëndetësi, hemodializa, check-up-it, laboratorëve dhe sterilizimit, të certifikuara si korruptive nga KLSH dhe pjesërisht nga gjykata, ndërsa që të gjitha të dyshuara si korruptive nga SPAK. FSDKSH, sipas dosjeve të SPAK dhe raporteve të KLSH kanë paguar përfituesit e këtyre koncensioneve për punë të pakryera.
Para emërimit në krye të FSDKSH, kandidati duhet të pranojë disa kushte, pasojat penale të mundshme dhe sigurisht përfitimet. Kushtet përfshijnë intereset korruptive të rrethit të biznesmenëve në dëm të buxhetit të shtetit dhe shëndetit të shqiptarëve. Nuk ka asnjë mundësi që i piketuari të emërohet në krye të Fondit pa pranuar paraprakisht se do të finalizojë aferat korruptive të diktuara nga linjat e interesit që po i mundëson emërimin.
Zakonisht, oligarku që dikton drejtorin e Fondit, i jep atij njëfarë garancie për një proces sa më të lehtë penal dhe mbulim të pasurive, produkt i aferave korruptive. Kjo është edhe arsyja se pse pothuajse të gjithë ish drejtorët e FSDKSH janë me dosje penale, por asnjëri prej tyre nuk ka bërë burg. Shumica e drejtorëve të FSDKSH kanë një pasuri me vlerë miliona euro, ndërsa besohet se pjesën më të madhe të pasurisë e kanë kamufluar në emër të njerëzve të besuar.
FSDKSH si organizatë kriminale, mbulon barnat e skaduara të depove farmaceutike
Një tjetër raport prej 413 faqesh i Kontrollit të Lartë të Shteti konfirmon edhe një herë se Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor vijon të mbetet një institucion që gjeneron abuzime, skema korruptive, mashtrim dhe pazare me shëndetin e shqiptarëve, pavarësisht arrestimeve të herëpashershme, denoncimeve mediatike, auditimeve të shpeshta të KLSH dhe ndryshimit të drejtorëve, 11 drejtorë në 13 vite.
Skema vijon të mbetet e njëjtë. Kupola e FSDKSH-ja favorizon dhe mbulon abuzimet, kontrabandën dhe mashtrimet e depove farmaceutike dhe farmacive, ndërsa ndajnë bashkë paratë produkt i aktivitetit kriminal në dëm të shëndetit të shqiptarëve. Sipas KLSH-së, Drejtoria e Kontrollit pranë Fondit ka shmangur kontrollin dhe dokumentimin e datës së skandencës së ilaçeve në depot farmaceutike, duke krijuar hapësira për mbajtjen dhe tregtimin e barnave të skaduara.
“Nga auditimi i raport kontrolleve të ushtruar në depot farmaceutike nga Drejtoria e Kontrollit, u konstatua se në procesverbalin nr. 2, të hartuar për qëllime të inventarizimit fizik gjatë ditës së kontrollit, për barnat e evidentuara në gjendje është regjistruar vetëm sasia fizike, ndërsa mungon dokumentimi i datës së skadencës për secilin prej tyre. Mosdokumentimi i datës së skadencës për barnat e inventarizuara përbën një mangësi thelbësore në procesin e kontrollit, pasi bën të pamundur vlerësimin objektiv të disponibilitetit efektiv të barnave në përputhje me kërkesat e nenit 5 të kontratës së lidhur ndërmjet palëve. Si rezultat, bëhet i pazbatueshëm vlerësimi mbi përmbushjen e detyrimeve kontraktuale lidhur me sigurimin e gjendjeve minimale të kërkuara për alternativat e para dhe të vetme të barnave të përfshira në LBR, duke ndikuar negativisht në transparencën, saktësinë dhe besueshmërinë e analizës së disponibilitetit të barnave si dhe në cilësinë e procesit të kontrollit“, thuhet ne raport.


Që nga shtatori i vitit 2023 deri në shtator 2025, FSDKSH është drejtuar nga Spartak Zekja, i arrestuar nga Prokuroria për skema mashtruese me ilaçet, një përfaqësues i kartelit të ilaçeve në Shqipëri, madje ish pronar i depove farmaceutike dhe një kompanie që ka përfituar edhe para publike. Ish kreu FSDKSH Spartak Zekja që duhet të kontrollonte veprimtarinë e depove dhe kompanive farmaceutike është themelues i kompanisë farmaceutike Distributor of Medical Devices Group shpk, kompani e cila ka edhe depo farmaceutike.

Për të evituar konfliktin e interesit gjatë drejtimit të Fondit, Zekja ia ka kaluar aksionet e kompanisë Matteo Shehut. Një burim pranë FSDKSH tha se kompania e Zekjas është imune ndaj çdo kontolli dhe ka dorë të lirë për dallavere me barnat, ndërsa ish drejtori dyshohet për lidhje korruptive me disa bosë të ilaçeve në Tiranë, sidomos me Nadir Çaushollin.

Në nëntor 2025, Prokuroria e Tiranës arrestoi Spartak Zekjan me disa persona të tjerë. Hetimet zbuluan një skemë mashtrimi me inventarë dhe fatura fiktive për barnat “Foster” dhe “Trimboë”, përmes të cilës përfitoheshin fonde të rimbursimit nga FSDKSH në vlera të mëdha. Në qendër të skemës ishte “CFO Pharma” e Nadir Çaushollit në bashkëpunim me subjektet “Pharma Plus” dhe “Medix Albania” dhe me zyrtarë të Fondit. Megjithatë, Çausholli, i dënuar më parë për skema mashtruese, i shpëtoi ndëshkimit, ndërsa Zakja doli disa ditë më pas nga burgu.
Albana Çela, nyja e aferave korruptive
Kontrolli i Lartë i Shtetit, përmes disa raporteve, ka identifikuar pothuajse të gjithë kupolën e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor si përgjegjës për batërdinë e depove farmaceutike, mjekëve dhe farmacistëve me ilaçet e rimbursueshme.
KLSH ka rekomanduar shkarkimin e Albana Çelës, e cila ka drejtuar FSDKSH gjatë periudhës 2020-2023. Por, Albana Çela (Adhami), që nga shtatori i vitit 2023, u zëvëndësua nga Spartak Zekja, gjithashtu një përfaqësues i kartelit të ilaçeve në Shqipëri, madje ish pronar i depove farmaceutike dhe një kompanie që ka përfituar edhe para publike.
Albana Çela (Adhami) është lidhje e ngushtë e Ogerta Manastirliut, ish ministre e Shëndetësisë, me dosje në SPAK për aferat në shëndetësi. Drejtoreshat e Fondit janë diktuar nga oligarkët përmes Manastirliut, e cila ka qenë kryetare e Këshillit Administrativ të Fodit, për periudhën 2017- 2023, në cilësinë e ministres së Shëndetësisë.
Albana Adhami është një nga xhepat më të thellë të korrupsionit të ish ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliut dhe kartelit mafioz të ilaçeve, sektori më fitimprurës në Shqipëri./ Prapaskena.com














