Një monedhë e re përkujtimore me vlerë nominale 1 dollar dhe me portretin e presidentit amerikan Donald Trump ka nisur të shitet në kuadër të përgatitjeve për 250-vjetorin e themelimit të Shteteve të Bashkuara, raporton AFP.
Monedhat ofrohen për koleksionistët në paketime me 25 dhe 100 copë. Çmimi është 61 dollarë për paketën me 25 monedha, ndërsa ajo me 100 copë kushton 154 dollarë.
Dizajni i monedhës është i ndarë në dy anë. Në njërën paraqitet shqiponja, një prej simboleve më të njohura të SHBA-së, ndërsa në anën tjetër është vendosur portreti i Trump.
Imazhi i presidentit është i ngjashëm me fotografinë e tij të famshme të marrë pas arrestimit në Xhorxhia, gjatë hetimeve për çështjen e ndërhyrjes së pretenduar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Projektimi i monedhës mori miratimin e Komisionit të Arteve të Bukura në mars. Të gjithë anëtarët aktualë të këtij komisioni janë emëruar nga Trump.
Në atë kohë, arkëtari i SHBA-së, Brandon Rich, e cilësoi monedhën si pjesë të simboleve që do të shoqërojnë festimet e 250-vjetorit të pavarësisë amerikane. Ai argumentoi se portreti i Trump përfaqësonte një figurë veçanërisht ikonike për këtë emetim.
Por vendimi nuk kaloi pa kundërshtime. Në fund të shkurtit, Komiteti Këshillimor i Qytetarëve për Monedhat (CCAC) nuk pranoi të shqyrtonte propozimin për një monedhë me imazhin e presidentit.
Anëtari i komitetit, Donald Scarinci, argumentoi se tradita amerikane nuk parashikon vendosjen e portretit të një presidenti në detyrë në monedha. Sipas tij, një praktikë e tillë lidhet zakonisht me monarkitë apo regjimet diktatoriale.
Pavarësisht debatit, monedha me portretin e Trump tashmë është bërë e disponueshme për blerje.














