Thesari i Shtetit bllokoi pagesat e gjyqtarëve, përfshirë edhe trupën e Gjykatës së Lartë, duke lënë pa rrogë kryetarin Sokol Sadushi.
Sadushi, i ka kërkuar Ministrit të Financave, Petrit Malaj, zhbllokimin e menjëhershëm të fondeve teksa denoncon “cenimin e pavarësisë së drejtësisë” nga po ajo pushtet që e ka mbajtur në krah.
Sipas tij, mungesa e ligjit të ri nga Kuvendi nuk mund të justifikojë bllokimin e pagave dhe moszbatimin e vendimit kushtetues.
Sadushi kërkon që paga e re referuese të zbatohet nga 1 gushti 2026, ndërsa diferencat financiare të paguhen edhe në mënyrë prapavepruese.
Ai e konsideron situatën cenim të pavarësisë së drejtësisë dhe thekson se çdo organ shtetëror ka detyrimin të respektojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Kërkesat e kryetarit të Gjykatës së Lartë:
-Zhbllokimin e menjëhershëm të pagesave mujore të gjyqtarëve
-Ekzekutimin, nga 1 gushti 2026 e në vijim, të pagës referuese bazë të përllogaritur në zbatim të vendimit nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese dhe vendimit nr. 435/2026 të KLGJ-së
-Ndjekjen e procedurave buxhetore për alokimin e çdo fondi shtesë që rezulton i nevojshëm për pagesat korrente
-Trajtimin e diferencave financiare për periudhën 1 prill 2023-31 korrik 2026 sipas përcaktimeve të vendimit nr. 435/2026, pa i përdorur ato si shkak për bllokimin e pagave korrente.
















