Ish-efektivi i Policisë së Shtetit, Uljan Shpataraku, është transferuar në burgun e Peqinit, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”.
Shpataraku u arrestua më 26 gusht në zonën e Plepave në Durrës, në të njëjtin automjet me biznesmenin Ergys Agasi, i cili ishte shpallur në kërkim nga SPAK.
Në momentin e ndërhyrjes së policisë, sipas raportimeve, Shpataraku ishte në drejtimin e automjetit, ndërsa Agasi ndodhej në sediljen e pasagjerit.
Operacioni për arrestimin e tyre nisi pasi automjeti u pikas në Elbasan. Forcat e policisë e ndoqën për rreth 40 kilometra në drejtim të Peqinit, Rrogozhinës dhe më pas Durrësit, ku makina u bllokua në zonën e Plepave.
Gjatë kontrollit të automjetit, autoritetet raportohet se gjetën rreth 4 mijë euro cash.
Akuzohet për përkrahje të autorit të krimit
Sipas SPAK, Shpataraku u arrestua në flagrancë për veprën penale të “përkrahjes së autorit të krimit”. Prokuroria e Posaçme dyshon se ai shoqëronte Agasin, i cili në atë kohë ishte person në kërkim nga drejtësia.
Më 29 gusht, GJKKO vendosi që ish-efektivi të qëndrojë në burg, ndërsa ndaj tij vijon procedimi penal për akuzën e përkrahjes së autorit të krimit.
Shpataraku, ish-zyrtar i Policisë së Shtetit, është raportuar gjithashtu si person i afërt me ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda.
Ndërkohë, Ergys Agasi është lënë gjithashtu në masën “arrest me burg”. SPAK e akuzon për disa vepra penale, mes tyre konkurrencë të paligjshme përmes dhunës, heqje të paligjshme të lirisë, shkelje të barazisë në tendera, grup të strukturuar kriminal, pastrim parash dhe korrupsion aktiv.













