Projektligji për krijimin e një kompanie të re shtetërore në shëndetësi ka ngjallur një sërë paqartësish edhe te gazetari i njohur Osman Stafa, i cili kërkon më shumë transparencë mbi funksionet dhe kompetencat që do të ketë struktura e propozuar.
Në një reagim të publikuar në Facebook, Stafa e vendos theksin te numri i madh i përgjegjësive që parashikohet të përqendrohen në një kompani të vetme.
Pyetja kryesore që ngre gazetari lidhet me referencën europiane të projektit. Sipas tij, qeveria duhet të tregojë nëse ka një kompani të ngjashme në ndonjë vend të Bashkimit Europian, me një përqendrim të tillë kompetencash.
Stafa rendit disa prej funksioneve që, sipas projektligjit, do t’i ngarkohen kompanisë së re, pasi ajo do të planifikojë nevojat, do të zhvillojë tenderët, do të negociojë çmimet dhe do të blejë barna e pajisje mjekësore.
Ai kërkon që qeveria të identifikojë konkretisht një kompani shtetërore europiane që kombinon në një strukturë të vetme funksione si prokurimi i barnave, pajisjet mjekësore, magazinimi, shpërndarja, mirëmbajtja, shërbimet mbështetëse, krijimi i kompanive bija dhe partneritetet me sektorin privat.
Reagimi i plotë:
Superkompania në shëndetësi. Qeveria të na tregojë një model në Europë.
Qeveria po propozon krijimin e një kompanie të re shtetërore që do të marrë në dorë një pjesë shumë të madhe të shëndetësisë publike.
Dhe kam një pyetje shumë të thjeshtë:
Në cilin vend të Bashkimit Europian ekziston një kompani shtetërore me kaq shumë pushtet të përqendruar në një dorë?
Çfarë po krijojmë ne? Sipas projektligjit, kompania shqiptare nuk do të merret vetëm me blerjen e ilaçeve.
Ajo do të planifikojë nevojat, do të bëjë tenderët, do të negociojë çmimet, do të blejë barna dhe pajisje, do t’i magazinojë dhe shpërndajë, do të mirëmbajë pajisjet mjekësore dhe do të menaxhojë rezervën strategjike.
Por nuk mbaron këtu. Do të mund të krijojë kompani të tjera. Do të mund të hyjë në biznes dhe sipërmarrje të përbashkëta me privatët. Do të mund të marrë në përdorim apo administrim pasuri shtetërore.
Dhe, me miratimin e qeverisë, pasuritë shtetërore mund të përdoren edhe si garanci, kolateral apo hipotekë për financime.
Atëherë pyetja ime është:
Na tregoni modelin europian që po ndiqni. Na tregoni një kompani shtetërore europiane së cilës i janë dhënë bashkë këto kompetenca: tenderët e barnave, pajisjet mjekësore, magazinat, shpërndarja, mirëmbajtja, shërbimet mbështetëse, kompanitë bija, partneritetet me privatët dhe përdorimi i pasurisë shtetërore si kolateral.
Shëndetësia shqiptare nuk ka nevojë për një tjetër qendër pushteti.
Ka nevojë që ilaçi të jetë në spital, pajisja të punojë dhe çdo qindarkë e pacientëve dhe taksapaguesve të jetë e kontrollueshme.
Prandaj, para se ky projektligj të miratohet, qeveria duhet të përgjigjet: Cili është modeli europian që po kopjojnë?













