Një qytetar ka denoncuar gjendjen e pusetave në qytetin e Ballshit, duke ngritur shqetësimin për rrezikun që ato paraqesin për banorët dhe kalimtarët.
Sipas denoncuesit për JOQ disa puseta në zona të frekuentuara të qytetit janë lënë të hapura, duke krijuar një situatë të rrezikshme, veçanërisht për këmbësorët.
“Shikoni çfarë bëhet në qytetin e Ballshit. Pusetat janë të hapura në mes të qytetit. Mund të rrëzohesh në mes të ditës”, shprehet qytetari në denoncimin e tij.
Sipas raportimit, pusetat e hapura po shkaktojnë dëmtime të automjeteve që qarkullojnë në këto zona, ndërsa rreziku është edhe më i madh për fëmijët që lëvizin me biçikleta apo luajnë pranë rrugëve, ku mund të pësojnë lëndime.
Qytetari u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të marrin masa të menjëhershme për mbylljen e pusetave dhe vendosjen e kapakëve përkatës, në mënyrë që të parandalohet ndonjë ngjarje e rëndë dhe të garantohet siguria e banorëve.













