Nga qelia, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka urdhëruar tërheqjen e delegimit të kompetencave që i ishin dhënë Anuela Ristanit për drejtimin e institucionit.
Në arsyetimin e vendimit, Veliaj i referohet ligjit “Për vetëqeverisjen vendore” dhe Kodit të Procedurave Administrative, duke theksuar se delegimi i kompetencave ishte parashikuar si një masë e përkohshme për të garantuar vijimësinë e funksionimit të Bashkisë së Tiranës.
Në dokument argumentohet se ushtrimi i kompetencave të deleguara duhet të bëhet në përputhje me autoritetin e kryetarit të zgjedhur dhe se delegimi nuk mund të shndërrohet në një burim autonom kompetencash.
Veliaj pretendon gjithashtu se gjatë periudhës së fundit ka pasur mungesë informimi dhe koordinimi institucional, moszbatim të vendimeve gjyqësore dhe refuzim të urdhrave të drejtpërdrejtë të kryetarit të Bashkisë.
Sipas tij, kjo situatë ka cenuar zinxhirin e përgjegjësisë dhe drejtimit institucional, ndërsa delegimi i kompetencave, i cili fillimisht synonte garantimin e vijimësisë administrative, është kthyer në pengesë për ushtrimin efektiv të mandatit të kryetarit.













