Një defekt i rëndë në rrjetin kryesor të furnizimit me ujë ka shkaktuar ndërprerje të përkohshme të ujit të pijshëm në disa zona të Tiranës.
Sipas njoftimit të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës (UKT), avaria është konstatuar në linjën kryesore të transmetimit DN 1100 mm prej çeliku, e cila furnizon depot perëndimore të kryeqytetit.
Për shkak të defektit, pa ujë kanë mbetur përkohësisht disa zona, mes tyre Selita, Kodra e Diellit, Astiri, Yzberishti, Pallatet Çabej, Kodër Kamëz dhe Fusha Misto Mame.
Ekipet teknike të UKT-së ndodhen në terren dhe kanë nisur punën për riparimin e linjës dhe rikthimin e furnizimit me ujë.
Deri më tani, UKT nuk ka dhënë një orar të saktë se kur do të normalizohet plotësisht furnizimi, ndërsa bën me dije se ndërhyrja po vijon pa ndërprerje.
Banorët e zonave të prekura pritet të njoftohen në vijim për rikthimin gradual të furnizimit me ujë.













