35-vjeçari Korado Gështënja, i kërkuar nga SPAK për dosjen e rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës është arrestuar në Britaninë e Madhe, më shumë se gjashtë vjet pas ngjarjes së 17 janarit 2020.
Ai u lokalizua dhe arrestua pas bashkëpunimit mes Interpol Tiranës, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe strukturave britanike të ekstradimeve pranë National Crime Agency.
Sipas dokumenteve të procedurës së ekstradimit në Westminster Magistrates’ Court, Gështënja është arrestuar për t’u dorëzuar tek autoritetet shqiptare.
Në Britaninë e Madhe, 35-vjeçari rezulton se përdorte edhe mbiemrin Kështenja, si dhe identitetin James Martin.
Korado Gështënja dyshohet se ishte pjesë e personave të përfshirë në veprimet që paraprinë dhe shoqëruan marrjen peng të Prengës më 17 janar 2020 në Kamëz.
SPAK e kërkon Gështënjën mbi bazën e një urdhër-arresti të miratuar nga Gjykata e Posaçme. Akuzat e paraqitura në procesin britanik lidhen me privimin e paligjshëm të lirisë së Jan Prengës dhe me një komplot për trafikimin e drogave të Kategorisë A.
Sipas akuzës së paraqitur nga pala shqiptare në Londër, më 17 janar 2020 ose rreth kësaj date, Gështënja ka bashkëpunuar me persona të tjerë për t’i hequr lirinë Jan Prengës kundër vullnetit të tij.
Por akuza ndaj tij nuk kufizohet te rrëmbimi. Autoritetet shqiptare e lidhin Gështënjën edhe me trafikun ndërkombëtar të kokainës që qëndron në sfondin e dosjes Prenga.
Në procedurën e ekstradimit, pala shqiptare e akuzon se më 17 janar 2020 ose rreth kësaj date ka bashkëpunuar me persona të tjerë për importimin ose eksportimin nga Ekuadori të kokainës, e klasifikuar në Britaninë e Madhe si drogë e Kategorisë A.
Kjo është edhe pika që lidh dy akuzat ndaj Gështënjës. Hetimi për Jan Prengën e ka lidhur rrëmbimin me konfliktin për një sasi kokaine të humbur në Britaninë e Madhe dhe me vëllain e viktimës, Ndrek Prenga.
Gështënja mbahet aktualisht në paraburgim në Londër. Westminster Magistrates’ Court ka caktuar seancën e ardhshme të procedurës së ekstradimit më 2 shtator 2026, në orën 10:00.













