Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në një intervistë në “Edicionin Special” në Klan Kosova, ka deklaruar se votimi ndryshe i deputetëve të partisë duhet të shihet si një vlerë dhe jo si dobësi.
Ai tha se deputetët e LDK-së kanë mendimet e tyre dhe se nuk është hera e parë që ata votojnë ndryshe në raste të rëndësishme.
“Secili deputet ka mendimin e vet dhe kjo është vlerë e LDK-së. Nuk është diçka e keqe, siç po mundohet me u thënë. Kjo ka qenë vlera e LDK-së gjithmonë”, tha ai.
Duke folur për zgjedhjen e presidentit, deputeti deklaroi se do të votojë pro kandidaturës së Bekim Sejdiut, duke theksuar se e njeh personalisht dhe e konsideron person me integritet.
“Kam qenë para, gjatë dhe pas mbledhjes së grupit parlamentar që do ta votoj propozimin për president, z. Sejdiun. E kam edhe subjektive, sepse e njoh dhe mendoj që është person me integritet”, deklaroi ai.
Deputeti shtoi se, sipas tij, procesi nuk ka shkuar ashtu siç është dashur, por vendosi ta tejkalojë këtë çështje dhe të votojë sipas bindjes së tij.


