Moti, Foto: Valon Fana
E diel me diell dhe temperatura deri në 31 gradë Celsius
Të dielën, 06.09.2026, në Kosovë pritet të mbajë mot kryesisht me diell dhe me vranësira të pakta, më të theksuara rreth zonave malore.
Sipas parashikimit të motit, nuk priten reshje gjatë ditës. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10 dhe 15 gradë Celsius, ndërsa maksimalet pritet të arrijnë nga 28 deri në 31 gradë Celsius.
Do të fryjë erë e dobët deri mesatare, kryesisht nga drejtimet veriore dhe verilindore, me shpejtësi prej 1 deri në 5 metra për sekondë.
Kushtet biometeorologjike do të jenë kryesisht të mira dhe të favorshme. Megjithatë, temperaturat e larta gjatë ditës mund të shkaktojnë ngarkesë të lehtë termike, ndërsa temperaturat më të ulëta gjatë natës do të krijojnë kushte më të përshtatshme për pushim dhe gjumë.
Kushtet agrometeorologjike parashihen të jenë kryesisht të favorshme për punët bujqësore, veçanërisht për vjeljen dhe pjekjen e kulturave. Për shkak të mungesës së reshjeve dhe temperaturave të larta gjatë ditës, mund të rritet nevoja për ujitje të kulturave që ndodhen ende në fazat aktive të zhvillimit.
Ndërkohë, indeksi UV do të jetë mesatar deri i lartë, në vlerat 5–6, me intensitet më të madh gjatë orëve të mesditës. Për këtë arsye, rekomandohet mbrojtja nga ekspozimi i zgjatur ndaj rrezatimit të drejtpërdrejtë diellor.