Një konflikt që dyshohet se nisi për shkak të një vajze përfundoi me plagosjen e rëndë të një 35-vjeçari maroken në Treviglio të Italisë.
Për ngjarjen është arrestuar një 22-vjeçar shqiptar, i cili akuzohet se e ndoqi dhe e goditi me thikë pas një përplasjeje në stacionin e trenit.
Ngjarja ndodhi të enjten në mbrëmje, rreth orës 22:00. 22-vjeçari shqiptar dhe 35-vjeçari maroken zbritën nga i njëjti tren në stacionin e Treviglios.
Në vend ndodheshin edhe dy persona të tjerë nga Afrika e Veriut, miq të 35-vjeçarit.
Sipas hetimeve paraprake, mes dy të rinjve kishte nisur një debat që u përshkallëzua. Në qendër të konfliktit dyshohet se ishte e dashura e 35-vjeçarit.
Një dëshmitar, pronar i një lokali pranë stacionit, tha se i kishte parë dy burrat duke u grindur që në momentin kur zbritën nga treni.
Sipas tij, shqiptari kishte bërtitur kërcënime ndaj grupit të marokenëve.
Kamerat e sigurisë kanë filmuar një pjesë të përplasjes.
Sipas rindërtimit të hetuesve, gjatë konfliktit 35-vjeçari kishte nxjerrë një thikë kuzhine dhe kishte kërcënuar 22-vjeçarin në nënkalimin e stacionit.
Përplasja nuk përfundoi aty. Në një parkim në bulevardin Vittorio Veneto, pranë një xhamie, 22-vjeçari dyshohet se e ndoqi 35-vjeçarin, duke e goditur me thikë në krah dhe në pjesën e shpinës.
Dëshmitarë të tjerë kanë parë momentin e sulmit dhe kanë njoftuar ambulancën.
I plagosuri u dërgua në spitalin e Treviglios në gjendje të rëndë. Gjendja e tij më pas u stabilizua, por ai vijon të jetë i shtruar dhe me prognozë të rezervuar.
Karabinierët arrestuan 22-vjeçarin po atë mbrëmje dhe sekuestruan një nga armët e përdorura në sulm. I riu ka pranuar se e ka goditur 35-vjeçarin, por para hetuesve ka dhënë versionin se kishte reaguar për t’u mbrojtur nga sulmi. Të hënën ai pritet të dalë para gjyqtarit të hetimeve paraprake për seancën mbi masën e sigurisë.