Dhjetëra mijëra qytetarë dolën në rrugët e Zagrebit të shtunën për të kërkuar ndërhyrje urgjente ndaj një landfilli me më shumë se 30 mijë tonë mbetje të rrezikshme në rajonin e Likës.
Protesta, një nga më të mëdhatë e zhvilluara në Kroaci vitet e fundit, u zhvillua nën emrin “Marshimi për Likën”.
Në qendër të protestës ishte një landfill pranë qytetit të Gospićit, ku autoritetet kanë zbuluar rreth 34 mijë deri në 37 mijë tonë mbetje.
Një pjesë e madhe e tyre dyshohet se është importuar nga Italia gjatë viteve 2023 dhe 2024.
Mbetjet përfshijnë materiale industriale, plastike, elektronike, ndërtimore dhe materiale mjekësore. Sipas ambientalistëve, ato paraqesin rrezik për tokën, ajrin dhe ujin e zonës.
Një raport i publikuar nga agjencia kroate kundër korrupsionit USKOK ka gjetur përqendrime të larta të metaleve në tokë, ndërsa në ujërat nëntokësore janë zbuluar edhe PFAS, të njohura si “kimikatet e përjetshme”.
Protestuesit kërkuan një plan të qartë dhe afate konkrete për largimin e plotë të mbetjeve, si dhe ndalimin e importit të mbetjeve të rrezikshme. Në pankartat e tyre shkruhej ndër të tjera “Ndaloni shkatërrimin e Kroacisë” dhe “Mushkëritë e Kroacisë nuk mund të marrin më frymë”.
Çështja u bë publike pas hetimeve të policisë kroate dhe Europol, të cilat çuan në arrestimin e 13 personave të dyshuar për importimin dhe depozitimin e paligjshëm të mbetjeve.
Sipas Europol, aktiviteti dyshohet se kishte sjellë të paktën 4 milionë euro fitime të paligjshme.
Qeveria kroate ka nisur procedurat për pastrimin e zonës dhe kryeministri Andrej Plenković ka njoftuar se është përzgjedhur një kompani për fazën e parë të largimit të mbetjeve. Protestuesit kërkojnë që puna të nisë sa më shpejt dhe të përfshijë të gjithë sasinë e mbetjeve.
Në protestë mori pjesë edhe aktori kroat Rade Šerbedžija, ndërsa çështja ka shtuar presionin ndaj qeverisë për mënyrën se si është menaxhuar problemi i mbetjeve në Gospić. Ekspertët paralajmërojnë se terreni karstik i rajonit mund të favorizojë përhapjen e ndotjes drejt ujërave dhe në fund drejt Adriatikut.