“Festa e Këngës Shqiptare ” për të shtatin vit, Gjergj Leka bashkon brezat përmes muzikës 

6 Shtator 2026, 11:08Kulturë TEMA
“Festa e Këngës Shqiptare ” për të shtatin vit,

Për të shtatin vit radhazi, kantautori Gjergj Leka sjell “Festën e Këngës”, një nismë personale që tashmë është kthyer në një traditë të rëndësishme për ruajtjen dhe promovimin e muzikës së mirë shqiptare

Edicioni i shtatë i “Festa e Këngës Shqiptare”  i mbajtur më 2 shtator në mjediset e Flumen Park, solli një mbrëmje ku muzika u ndërthur me artet pamore dhe traditën e verës shqiptare. Në skenë u ngjitën artistë të disa brezave, nga emra të njohur si Alida Hisku, Liljana Kondakçi, Mira Konçi, Redon Makashi, Gjergj Jorgaqi Arta Babaramo, Rajmonda Kamberi e Adhurim Demiri, Nik Zaimi, Elsida Sinaj, te zërat e rinj si Evelin Mukaj, Edea Çipi, Marlind Tatani, Drini Drishti, Kejtlin Gjata, Flavio Deliu, Ilenia Llanaj, Orjeta Kelaj, Glerdit Turmetaj , Ajluna Meka e Irsa Mashi.

Bashkimi i brezave mbetet një nga shtyllat e kësaj nisme. Për Gjergj Lekën, ruajtja e traditës nuk do të thotë të mbetesh peng i nostalgjisë, por ta mbash muzikën gjallë duke e sjellë atë në kohën e sotme dhe duke u krijuar mundësi zërave të rinj të bëhen pjesë e saj.

Në këtë filozofi, kënga shqiptare nuk është vetëm melodi. Një rëndësi të veçantë ka edhe fjala, teksti që i jep këngës identitet dhe jetë më të gjatë. Leka ka kërkuar ndër vite në vargjet e poetëve dhe tekstshkruesve shqiptarë një pasuri që mund të rikthehet në muzikë dhe t’u përcillet brezave.

Vetëm pak muaj më parë, kantautori organizoi një mbrëmje homazh kushtuar tre poetëve dhe tekstshkruesve të rëndësishëm të muzikës së lehtë shqiptare: Arben Duka, Jorgo Papingji dhe Agim Doçi. Të tre kanë shkruar vargje për disa prej këngëve ikonike të shekujve XX dhe XXI, duke lënë një trashëgimi që vazhdon të interpretohet edhe sot.

Edhe edicioni i kaluar i “Festa e Këngës” iu dedikua pikërisht këtyre tre krijuesve, në një përpjekje për të rikthyer në vëmendje jo vetëm këngët, por edhe autorët që qëndrojnë pas tyre. Siç e ka përmbledhur Leka në këtë qasje, vargjet e tyre duhet të vazhdojnë të jetojnë përmes muzikës.

Një mbrëmje mes muzikës dhe artit

Mbrëmja e 2 shtatorit në Flumen Park nuk u kufizua vetëm te koncerti. Të pranishmit patën mundësinë të shijonin verëra vendase të kantinës “Bello”, përmes një degustimi që solli në vëmendje edhe një tjetër element të traditës shqiptare.

Pjesë e aktivitetit ishte edhe ekspozita me piktura dhe skulptura e artistes dhe pedagoges së Universitetit Europian të Tiranës, Blegina Bezo. Veprat e saj krijuan një dialog me natyrën e periferisë së kryeqytetit dhe me  muzikën, duke e shndërruar mbrëmjen në një festë më të gjerë të artit dhe krijimtarisë.

Në përfundim u ndanë edhe çmime për pjesëmarrësit, duke vlerësuar interpretimet dhe kontributin e artistëve në këtë edicion.

Nga një nismë e nisur në kohën e pandemisë, “Festa e Këngës Shqiptare” ka ndërtuar një identitet të vetin. Skena e saj është kthyer në një pikëtakim mes emrave që kanë shkruar historinë e muzikës shqiptare dhe brezit që kërkon të shkruajë kapitujt e rinj.

Në fund, kjo është edhe sfida që kantautori i njohur Gjergj Leka i ka vendosur vetes prej shtatë vitesh: që kënga e mirë shqiptare të mos mbetet thjesht një kujtim, por të vazhdojë të jetojë, të interpretohet dhe të përcillet nga një brez te tjetri. /mapo/

Lini një Përgjigje