Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, ka rikthyer debatin për ligjin 21/2024 për zonat e mbrojtura, duke ngritur shqetësimin se një territor i dëmtuar nga zjarri mund të humbasë statusin e tij dhe të marrë një tjetër destinacion.
Përmes një videoje nga interpelanca e prillit 2024 me ministren e atëhershme të Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kumbaro, Zhupa shpjegon kundërshtimin e saj ndaj të ashtuquajturit “parim i përshtatshmërisë”. Sipas saj, ky parim mund të krijojë mundësi që një zonë e mbrojtur, pasi dëmtohet dhe nuk është më në gjendjen e mëparshme, të përdoret për ndërtime apo projekte të tjera.
Zhupa ka kundërshtuar ligjin edhe në Gjykatën Kushtetuese, e cila nuk pranoi kërkesën për shfuqizimin e tij. Tashmë, ajo ka depozituar në Kuvend një nismë të re për shfuqizimin e ligjit 21/2024.
Në videon e publikuar prej saj, Ina Zhupa përdor një çakmak për të ilustruar atë që e quan “parimi i shkrepëses”.
“A e shikoni këtë çakmakun këtu?”, shprehet ajo, duke argumentuar se një shkrepëse mund të mjaftojë që një zonë e mbrojtur të ndryshojë statusin, nëse zjarri dëmton territorin dhe ai nuk rikthehet në gjendjen e mëparshme.
Sipas Zhupës, neni 2 i ligjit parashikon “parimin e përshtatshmërisë”. Ajo e interpreton këtë si një mundësi që, në rast se një zonë e mbrojtur ndryshon gjatë kohës dhe nuk ruan më karakteristikat e saj, të humbasë kategorinë e mbrojtjes pa pasur domosdoshmërisht detyrimin për t'u rikthyer në gjendjen e mëparshme.
Për ta bërë më konkrete kritikën e saj, Zhupa sjell shembullin e Pishë-Poros. Sipas saj, nëse një zjarr përfshin pyjet e një zone të mbrojtur, pas dëmtimit të territorit mund të lindë mundësia që ai të konsiderohet më i përshtatshëm për një tjetër përdorim, në vend që të ripyllëzohet.
“Me parimin e përshtatshmërisë është më e përshtatshme ta kthejmë në resort sesa ta ripyllëzojmë përsëri”, shprehet Zhupa në videon e interpelancës.
Në postimin e saj, ajo përmend si destinacione të mundshme hotelet, resortet, parqet fotovoltaike dhe parqet eolike.
Zhupa e lidh këtë shqetësim drejtpërdrejt me ligjin 21/2024 dhe kërkon që ai të shfuqizohet. Sipas saj, heqja e këtij ligji do të ulte edhe mundësinë që zjarret të përdoren si pikënisje për ndryshimin e destinacionit të zonave të mbrojtura.
“Shfuqizoni ligjin 21/2024 dhe e sigurt që do kemi edhe më pak ‘zjarre të përshtatshme’”, shkruan Zhupa në reagimin e saj.