Besa rikthehet në Kavajë

Futboll

Besa rikthehet në Kavajë

Më: 6 shtator 2026 Në ora: 11:34
Foto ilustrim

Kavajasit do të zhvillojnë ndeshjet e Kategorisë së Parë në kompleksin e Akademisë së Besës, në pritje të përfundimit të stadiumit. Inaugurimi bëhet sot ndaj Flamurtarit.

Merr fund, të paktën përkohësisht, “bredhja” e Besës nga një fushë në tjetrën. Skuadra e drejtuar nga Gugash Magani do të ketë mundësi t’i zhvillojë ndeshjet pritëse në Kavajë, në aneksin “Fusha e Vjetër” të Akademisë së Besës, deri në përfundimin e rikonstruksionit të stadiumit të qytetit. FSHF ka zhvilluar një inspektim në impiant, ku po kryhen ndërhyrjet e fundit për ta përshtatur me kërkesat e ndeshjeve të Kategorisë së Parë.

Gjatë vizitës, përfaqësuesit e FSHF-së kanë verifikuar nga afër ecurinë e punimeve dhe kushtet e krijuara për zhvillimin e takimeve zyrtare. Në kompleks janë rikonstruktuar dhomat e zhveshjes, është sistemuar rrethimi i brendshëm i fushës dhe janë përmirësuar pankinat.

Gjithashtu, kanë përfunduar vendosja e stolave për spektatorët dhe rrethimi i jashtëm i impiantit. Një nga ndërhyrjet kryesore është vendosja e kullave të transmetimit, të nevojshme për mbulimin televiziv dhe përdorimin e sistemit VAR, që do të aplikohet edhe në Kategorinë e Parë këtë sezon.

Besa do ta inaugurojë impiantin të dielën, në një sfidë prestigji ndaj Flamurtarit. Kështu, skuadra kavajase do të ketë më në fund një shtëpi për ndeshjet e kampionatit, ndërsa vazhdon të presë përfundimin e stadiumit të qytetit. Besa konsiderohet si një nga pretendentë kryesor në këtë sezon në Kategorinë e Parë për sigurimin e biletës për rikthimin në Superiore.

Kavajasit kanë kryer një merkato cilësore dhe sasiore dhe përgatitjet e verës, japin shpresë për realizimin e objektivit madhor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat