Më shumë se 150.000 pasagjerë kanë mbetur të bllokuar dhe u janë pezulluar fluturimet e tyre në Indonezi, pasi një vullkan i madh shpërtheu duke çuar kështu në mbylljen e 6 aeroporteve në total.
I pari që u u mbyll si pasojë e shpërthimit të vullkanit, mësohet se ka qenë Aeroporti Ndërkombëtar Soekarno-Hatta i Xhakartës,. të cilit iu vu çelësi mëngjesin e sotëm pasi hiri nga vullkani Anak Krakatau, u zbulua në hapësirën ajrore pranë aeroportit.
Ministri i Transportit Dudy Purwagandhi tha se deri më tani janë prekur 467 fluturime dhe u kërkoi linjave ajrore të marrin në konsideratë devijimin e disa fluturimeve në aeroporte të tjera.
Sakaq, mësohet se vullkani nisi të shpërthente që në orët e vona të natës së premte, duke gjeneruar aktivitet të vazhdueshëm sizmik, burime lave dhe tinguj të fuqishëm në rajonet përreth. Ndërsa dy shpërthime të tjera ndodhën në orët e para të mëngjesit të sotëm, çka i detyroi autoritet për të marrë masa.
Konkretisht, ministria e transportit njoftoi se ndërprerja e operacioneve preku kryesisht fluturimet për vajtje dhe ardhje nga Singapori, si dhe rrugë të tjera ndërkombëtare, përfshirë këtu Dohan, Sidnein dhe Kuala Lumpurin.
I prekur nga hiri i vullkanit, një vendas i identifikuar si Aldi Candra Prayogi është shprehur për mediat e huaja se ndihej sikur që nga mbrëmja e së premtes "më kishin hyrë kokrriza të vogla rëre" dhe se duhet të përdorë pika për sytë për të lehtësuar irritimin. Po ashtu raportohet se pluhuri është aq i trashë sa ai duhet të fshijë oborrin e përparmë të shtëpisë së tij çdo pesë minuta.
Purwagandhi tha se vendimi për të mbyllur përkohësisht më shumë aeroporte u mor pasi testet zbuluan se hiri vullkanik ishte përhapur në përmasa të mëdha. Më tej, ai u bëri thirrje kompanive ajrore që të përshpejtojnë proceset për rimbursimin e biletave për pasagjerët që janë prekur nga anulimet e fluturimeve dhe që linjat ajrore t'u japin informacion në kohë atyre që kanë fluturime të ardhshme për të shmangur lëvizjet e tepërta në aeroporte.
Sipas agjencisë meteorologjike të Indonezisë BMKG, hiri arriti deri në 6,000 m në Java, në lindje të vullkanit, dhe 15,000 m në perëndim të vullkanit në anën e Sumatrës.
Po ashtu, autoritetet kanë konfirmuar se deri më tani nuk ka pasur paralajmërime për cunami me aktivitetin e fundit të vullkanit, i cili ndodhet në ngushticën Sunda midis ishujve Java dhe Sumatra. Ministri i shëndetësisë u ka kërkuar banorëve në zonat e prekura të qëndrojnë brenda dhe të mbajnë maska për t'u mbrojtur nga rreziqet e frymëmarrjes, syve dhe lëkurës.
Vullkani që ka prekur Indonezinë, i njohur edhe si Anak Krakatoa, mësohet se ka shpërthyer në dhjetor të 2018, duke shkaktuar një cunami të madh që vrau mbi 400 persona dhe plagosi mijëra të tjerë në bregdetet e afërta të Sumatrës dhe Java-s.
Shkencëtarët zbuluan se disa nga copat e shkëmbinjve që rrëshqitën nga vullkani kur u shemb ishin rreth 70-90 metra të larta .
