Një ditë pasi policia ka vënë në pranga dy persona për zjarrvënie në Fier, një banor nga Peshtani ka denoncuar se zjarri po ndizet qëllimisht. Sipas banorit, i cili ka zgjedhur të ruajë anonimitetin e tij, bëhet me dije se gjatë ditës së sotme janë shfaqur vatra zjarri aktive në zonat e pyllit ku dje u shuajt zjarri.
Sakaq, kujtojmë se dje policia si rezultat i veprimeve të shpejta në lidhje me zjarrin e rënë në një sipërfaqe toke në fshatin Daullas, arrestuan në flagrancë, pranë vatrës së zjarrit, shtetasin A. G., 50 vjeç, i cili kishte ndezur zjarr në tokën në pronësi të tij, me qëllim djegien e shkurreve. Si pasojë e përhapjes së flakëve, zjarri ka dalë jashtë kontrollit, duke përfshirë sipërfaqe të mëdha me bimësi.
Gjithashtu, bëhet me dije se dhe në fshatin Kreshpan, shërbimet e Policisë kanë identifikuan dhe kapën pranë një vatre zjarri, në tokën në pronësi të tij, shtetasin Q. Y, i cili kishte deklaruar se kishte ndezur zjarr për djegien e mbetjeve, por si pasojë e erës së fortë, flakët janë përhapur dhe kanë dalë jashtë kontrollit, duke rrezikuar disa banesa, si dhe është përfshirë nga flakët një sipërfaqe e madhe me bimësi. Për shkak të moshës, shtetasi Q. Y. është proceduar penalisht.
Ndërkohë që zjarrfikësit janë në luftë me kohën për të shuar të gjitha vatrat e zjarrit që janë aktive në mbarë vendin, denoncime të tilla ngrenë dyshime për situatat me zjarret, të cilat të premten që lamë rrezikuan banesat si dhe jetët e banorëve, në zonën e Levanit.
