Një drejtues i një Jet Ski-e është ndëshkuar me 500 mijë lekë të rinj gjobë dhe i është bllokuar mjeti lundrues, pasi u kap duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë në plazhin e Ksamilit.
Shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare kanë konstatuar gjatë patrullimit mjetin lundrues, i cili kishte hyrë në zonën e përcaktuar për sigurinë e pushuesve.
Sipas Policisë, lëvizja e Jet Ski-t brenda këtij perimetri përbënte rrezik për personat që ndodheshin në plazh.
“Gjatë patrullimit në plazhin e Ksamilit, shërbimet e Policisë Kufitare konstatuan një mjet lundrues Jet Ski, i cili kishte hyrë brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar pushuesit që ndodheshin në plazh.
Në përfundim të veprimeve administrative, drejtuesi i mjetit lundrues, shtetasi A. P., u ndëshkua me masë administrative 500 000 lekë të rinj, ndërsa mjeti lundrues në pronësi të tij u bllokua në portin e Sarandës”, sqaron policia.













