Protesta e 87-të kundër qeverisjes është shoqëruar me mesazhe të forta politike, ndërsa protestuesit kanë përdorur pankarta për të shprehur kritikat ndaj kryeministrit Edi Rama dhe institucioneve të drejtësisë.
Një pjesë e pankartave janë fokusuar te shteti i së drejtës dhe procesi i integrimit europian, duke përcjellë mesazhin se rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian lidhet drejtpërdrejt me respektimin e standardeve demokratike.
“87, Europa fillon me shtetin e së drejtës” dhe “87, BE-ja kërkon standarde” ishin disa prej sloganeve të shfaqura gjatë protestës.
Kritikat janë drejtuar edhe ndaj Prokurorisë së Posaçme, SPAK, përmes pankartës “Drejtësi me regji, SPAK-u në letargji!”, ku protestuesit shprehin pakënaqësinë e tyre ndaj mënyrës së funksionimit të drejtësisë.
Në protestë është ironizuar edhe një prej nismave të fundit të qeverisë, me një tjetër mesazh të drejtpërdrejtë: “Në ‘pasqyrën’ tuaj, vetëm mashtrim, në bulevardin tonë, vetëm guxim!
Pankartat kanë shërbyer kështu si një tjetër formë proteste, duke përmbledhur në pak fjalë kundërshtimin ndaj qeverisë, kritikat për drejtësinë dhe kërkesën për standarde europiane.















